U zbulua se po vidhnin energjinë elektrike, OSH denoncon dy hotele në Shëngjin

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A) ka njoftuar se ka zbuluar dy hotele në Shëngjin pasi u zbulua se vidhnin energji elektrike/

Dje, në orët e mbrëmjes, strukturat e posaçme të OSSH Shkodër, gjatë kontrolleve kanë zbuluar dhe proceduar në polici dy subjekte me aktivitet “hotel resort” në qendër të Shëngjinit.

Subjektet private vidhnin energji elektrike duke u lidhur jashtë sistemit të matjes, në kundërshtim me ligjin dhe kodin penal.

Verifikimet janë kryer në prezencë të oficerëve të policisë gjyqësore dhe forcave të rendit, ku më pas u morën masat e nevojshme të shënuara në procesverbal.

Më herët, një tjetër strukturë e OSSH, Drejtoria e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), konstatoi vjedhje të energjisë elektrike (ndërhyrje në matës) tek një subjekt hotel në plazhin e Golemit, pranë Durrësit. Menjëherë, pas konstatimit të abuzimit, u njoftuan strukturat e posaçme ligjzbatuese, duke proceduar rastin për veprime të mëtejshme.

OSSH u bën apel konsumatorëve, sidomos atye privat, se do të vazhdojë, pa asnjë kompromis, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, me qëllim formalizimin dhe vendosjen e plotë të shtetit ligjor në këtë sektor.

Gjithashtu, OSSH i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë elektrike dhe të denoncojnë çdo rast në numrin e Cel:  069 414 1001 whatsapp/viber.