Ditën e sotme është mbledhur online Këshilli Bashkiak, për shkak të protestës së opozitës. Teksa i cilësoi si sjellje rrugaçërore veprimet e opozitës pasi hodhën molotov drejt godinës së bashkisë, kryebashkiaku Erion Veliaj madje dha edhe leksione. Sipas tij, ata që nuk shkojnë në SPAK janë frikacakë.
“Unë ftoj këshillin të fokusohet tek puna dhe jo tek dhuna. Unë jam ku jam sot, le të rrinë lepujt ditë e natën, nga bashkia nuk na heq dot askush përveç popullit. Ata që janë frikacakë janë ata që nuk shkojnë në SPAK.
Ata nuk mbledhin dot më shumë sesa turistët në Tiranë. Kjo sjellje rrugaçërore, kur ti dhunon policin, kur ti ke me demek ke hallin e teatrit që nuk ishte monument kulture, i hedh molotv kësaj ndërtesë që është monument kulture
Unë jo vetëm nuk dorëzohem, por do punoj akoma më fort. Jo vetëm që e shijova si një eksperiencë profesionale mënyrën si komunikova me koleget e SPAK, por unë inkurajoj Altin Dumanin të ecin vetëm përpara”, tha Veliaj.
Sakaq Erion Veliaj ka shpërthyer ndaj krerëve të opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Veliaj u shpreh se Berisha duhet të zbresë nga ballkoni dhe Meta të zbresë nga paralelja dhe të shkojnë në SPAK, veprim të cilin ata nuk e bëjnë sepse sipas tij “nuk janë burra”.
Vetë Veliaj ka qëndruar për 7 orë në SPAK ku u pyet për aferën e inceneratorit të Tiranës, por kryebashkiaku pretendoi se kishte shkuar vetë dhe se ishte në cilësinë e bashkëpunëtorit.