Është rënduar gjendja shëndetësore e 35 vjeçarit Onard Memlika, i cili tre ditë më parë ndërhyri për të shuar sherrin mes vajzës dhe babait në Durrës, por mbeti i plagosur.
Familjarët e tij thonë se Memlika është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në reaminacionin e spitalit të Traumës.
35 vjeçari mbeti i plagosur me thikë pasi ndërhyri në sherrin mes 56-vjeçarit Mikel Ndoj dhe vajzës së tij 24-vjeçare, e cila po ashtu mbeti e plagosur.
Mikel Ndoji ishte kthyer prej disa ditësh nga Italia në vendlindje me qëllimin për t’u bashkuar me familjen por ka hasur në kundërshtinë e vajzës, djalit dhe ish-bashkëshortes. Refuzimi, besohet se e çoi atë drejt aktit ekstrem ndaj së bijës, që e la të plagosur, bashkë me kalimtarin, i cili sot po lufton me jetën.
Një ditë më parë, Mikel Ndoji, u la në burg nga gjykata e Durrësit.
Në sallën e gjyqit, Ndoji nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese për krimin e kryer, madje është shfaqur mohues ndaj ngjarjes. Mësohet se ai ka kërkuar lirimin, duke e konsideruar veten të pafajshëm.