Detaje të reja janë zbuluar pas atentatit të djeshëm të ndodhur në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Sheqeri.
Ky i fundit rezulton të jetë agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por burime pranë DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie.
Ndaj për këtë ka nisur një hetim, për të zbuluar se si ai ka arritur të punësohet në këtë institucion, punësim që është bërë në kohën kur AMP drejtohej nga Artiol Saliasi.
Për sa i përket atentatit të djeshme, më shumë se 50 plumba u qëlluan mbi mjetin ku po udhëtonte Dani dhe Sheqeri, duke lënë të vdekur në vend krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, teksa agjenti i AMP-së, është në gjendje kritike për jetën.
Reagim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve.