U mor i pandehur nga SPAK për 4 akuza, avokatët e Veliajt kërkojnë zgjatjen e afatit për t’u njohur me dosjen hetimore

Pak ditë pasi Erion Veliaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK, avokatët e kryebashkiakut i kërkojnë Prokurorisë së Posaçme zgjatjen e afatit për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ngrihet akuza. 

Kërkesa është bërë për shkak se dosja ndaj kryebashkiakut është voluminoze dhe përmban afro 60 mijë faqe dokumentacion.

Në kërkesën e tyre drejtuar SPAK, avokatët e Veliajt thonë se 10 ditë nuk janë të mjaftueshme për të kryer një lexim të thjeshtë, pa analizë profesionale apo përpunim juridik i të gjitha materialeve.

“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur”, thuhet në kërkesën e avokatëve.

Më tej ata argumentojnë se “Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj ‘përmbytjeje dokumentare’ është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”.

Erion Veliaj u mor i pandehur më datë 24 korrik për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurisë dhe futje e sendeve në burg. Ai ndodhet në burg që prej muajit shkurt të këtij viti ku u arrestua teksa ndodhej në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës.