Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është larguar përpara kohe nga samiti i G7 që po mbahet në Kanada për t’u përqendruar në situatën e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.
Mbrëmjen e kaluar, ai publikoi një mesazh urgjent në rrjetin e tij social Truth Social, duke u bërë thirrje qytetarëve në Teheran të evakuohen menjëherë. Ky paralajmërim i drejtpërdrejtë ka ngritur shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.
“Irani është dashur ta nënshkruajë ‘marrëveshjen’. U thashë ta nënshkruanin. Sa turp dhe sa humbje e jetës së njerëzve. Thënë thjesht: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë vazhdimisht”, shkroi Trump në Truth Social. “Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ofroi pak shpjegime për largimin e papritur të zotit Trump, duke shkruar në X se “për shkak të asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme, Presidenti Trump do të largohet sonte pas darkës me krerët e shteteve”.
Më herët të hënën, Trump u kishte lënë të kuptohej gazetarëve se po ndiente presion për t’u angazhuar më shumë në krizën e Lindjes së Mesme, duke thënë: “Sapo të largohem nga këtu, do të bëjmë diçka. Por duhet të largohem nga këtu”.
Por ajo që ai kishte ndërmend të bënte mbeti e paqartë edhe pse presidenti përgatitej të largohej në mes të takimit dy-ditor. Trump ishte planifikuar të mbante një seancë me aleatët rreth konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës të martën dhe të takohej ballë për ballë me Presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës.