Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen që ndodhi në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit, ku 52 vjeçarja Kozeta Teço, u gjet pa shenja jete në banesën e saj, e cila u përfshi nga zjarri.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshimet kryesore janë se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe se bëhet fjalë për një rast të mundshëm vrasjeje.
Nga këqyrja paraprake e trupit te viktimës, janë konstatuar shenja dhune. Deri më tani, pista e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie.
Më herët, policia njoftoi se 52 vjeçarja e cila jetonte vetëm në banesë kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi i zjarrit.
Mësohet se në vendngjarje janë sekuestruar kamerat e sigurisë në dy objekte në afërsi të pallatit. Gjithashtu, janë shoqëruar disa persona në komisariatin e policisë së Pogradecit për t’u marrë në pyetje.