Ka ndërruar jetë foshnja që u gjet ditën e djeshme në një bodrum në Yzberisht.
Nëna e tij Eglantina Isufi me origjinë nga Pogradeci e lindi në divanin e bodrumit të pallatit dhe e braktisi aty derisa një banor e gjeti të mbështjellë me batanije. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, foshnja u konstatua se fillimisht nuk kishte shenja jete. Pas procedurave të mjekëve atij iu rikthyen rrahjet e zemrës dhe u vendos në reanimacion, por ditën e sotme u njoftua se nuk ia doli të mbijetonte.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Taulant Balla.
Balla shprehet se kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet.
Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruan ministri Balla.
Nëna e re është vendosur nën arrest nga policia me akuzën për braktisje fëmijësh.