U arrestua për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, Apeli liron nga burgu pas një muaji ish kreun e Kadastrës së Gjirokastrës

Apeli ka lënë në “arrest shtëpie” ish kreun e Kadastrës së Gjirokastrës Florian Taçi, i arrestuar në muajin shkurt të këtij viti, i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Ka qenë një operacion i përbashkët mes Policisë së Tiranës, asaj të Gjirokastrës, Prokurorisë dhe Gjykatës së Faktit Gjirokastër që kanë finalizuar aksionin për arrestimin e Taçit dhe ish-bashkëpunëtorit te tij në Kadastrën e Gjirokastrës, Alban Memishaj.

45-vjeçari së bashku me Memishajn kanë falsifikuar dokumentet e disa pronave, duke përdorur vulën e një subjekti të palicencuar nga organet kompetente.

Por Apeli ka vendosur zbutjen e masës së sigurisë ndaj Taçit, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

“Miratimin e vendimit me Nr. 21-2024-376 (87), datë 02.03.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër me këtë ndryshim:

Caktimin ndaj shtetasit nën hetim F. T masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale”- thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatësë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.