U arrestua gjatë protestave studentore, Apeli liron Klevi Metajn

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj Klevin Metajt, duke zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim paraqitje”.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati, Gentian Sejrani, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale njoftoi se së bashku me kolegun Taulant Asllanaj përfaqësuan Metajn në seancën në Apel, pas ankimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Përmes një reagimi, Sejrani bëri të ditur gjithashtu se është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me atë që ai e cilëson si trajtim degradues dhe çnjerëzor ndaj studentit.

REAGIMI
Së bashku me kolegun, Av. Taulant Asllanaj, përfaqësuam Klevin Metajn në Gjykatën e Apelit, pas ankimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”.
Sot, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin, duke caktuar ndaj Klevin Metajt masën e sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës”.
Ndërkohë, është regjistruar edhe kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me trajtimin degradues dhe çnjerëzor të ushtruar ndaj tij.