Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke e akuzuar për shpërdorim detyre.
Në qendër të kallëzimit është transferimi i Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në IEVP Fier, i kryer më 28 tetor 2026 me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas pretendimeve të kryebashkiakut, vendimi është marrë në kundërshtim me procedurat ligjore, pasi atij nuk i është vënë në dispozicion paraprakisht urdhri i transferimit dhe nuk i janë bërë të ditura arsyet që çuan në këtë vendimmarrje.
Veliaj pretendon se përgjegjësia për veprimin bie mbi drejtoreshën Sadleva Bodo, e cila ka firmosur urdhrin për lëvizjen e tij drejt burgut të Fierit.
Kryebashkiaku qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen që lidhet me Bashkinë e Tiranës.
Transferimi i fundit u kundërshtua nga Veliaj, i cili ka zgjedhur tashmë t’i drejtohet organit të akuzës, duke kërkuar shqyrtimin e përgjegjësisë penale të drejtueses së Burgjeve.