Ngërçi me pagat e gjyqtarëve, SPAK merr në pyetje Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave

SPAK ka marrë në pyetje Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Gentian Keri lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve.

Keri mësohet se është pyetur nga një hetues i Byrosë Kombëtarë të Hetimit, siç bën me dije gazetarja Anila Hoxha.

Raportohet se Keri ka deklaruar para hetuesit të BKH-së se ka zbatuar ligjin.

Ndërkohë lidhur me pretendimin e një drejtoreshe të degës së Thesarit, e cila ka dëshmuar në SPAK se është kërcënuar prej tij, Sekretari i Përgjithshëm është shprehur se i kishte tërhequr vëmendjen zyrtares, pasi ajo nuk kishte zbatuar ligjin.

Në shtator të këtij viti, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kallëzuan në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhe drejtuesit e degëve të Thesarit në rrethe pas bllokimit të pagave të muajit gusht.

Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.