Turistët “kurnacë” sollën zyrtarisht një rekord prej 2.38 miliardë eurosh në 6 mujorin e parë

Kthimi i vendit në një destinacion të preferuar turistik ka rritur dhe të ardhurat, që shtetasit e huaj shpenzojnë kur vijnë në Shqipëri. Ndonëse të gjithë ankohen se në vend vijnë turistë “kurnacë”, që nuk janë të gatshëm të harxhojnë shumë, sërish numri i lartë i tyre përkthehet në më shumë valutë në vend.

Në kahun tjetër, shpenzimet e shqiptarëve jashtë janë rritur me ritme më të ngadalta.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bëjnë të ditur se në 6 mujorin e parë të vitit 2026, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total, në 2.38 miliardë euro.

Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 për 6 mujorin e parë. Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 13.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në gjashtë muajt e parë të vitit, në vend hynë gati 5.1 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 6.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pas një fillimi të dobët në muajt e parë, për shkak të motit të pafavorshëm, turizmi u gjallërua në periudhën në vijim, ku në maj kulmoi me 16% më shumë hyrje, për tu ngadalësuar sërish në qershor (1.8%). Shtetasit nga Kosova vijojnë të mbajnë kryesimin, duke përbërë rreth një të tretën e hyrjeve, të ndjekur nga ata italianë, me rreth 11% të totalit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për totalin e shpenzimeve dhe të INSTAT për numrin e hyrjeve, rezulton se një shtetas i huaj ka shpenzuar në Shqipëri mesatarisht 470 euro për person në 6 mujorin e parë 2026, nga 440 euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nuk kursehen as shqiptarët jashtë

Shtimi i linjave direkte me kosto të ulët nga Rinasi, apo dhe rritja e kostove në vend, bën që shumë shqiptarë të zgjedhin të udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për gjashtë muajt e parë të vitit shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 1.4 miliardë euro, me një rritje prej 9.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në gjashtë muajt e parë të vitit u shënuan gati 4.2 milion dalje të shtetasve shqiptarë, me një rritje prej 5.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimi mesatar i një shqiptari jashtë rezulton rreth 340 euro.

Vendit i mbeten 957 milionë euro nga turizmi

Ndonëse të huajt kanë shtuar shpenzimet në Shqipëri, e njëjta gjë ka ndodhur dhe me shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë.

Megjithatë, më shumë para kanë mbetur në vend. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë ishte 957 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke iu afruar nivelit të 1 miliard eurove.

Që prej vitit 2015, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të udhëtimeve, që ka ardhur duke u rritur viti pas viti, për të arritur një rekord historik në 6 muajt e parë të vitit.