Kryeministri i vendit, Edi Rama, zhvilloi të premten një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe “start up”-eve, mbi rrugën e bërë dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës, Rama theksoi se qeveria kërkon të kthehet në partnere e drejtpërdrejtë me njerëzit e inovacionit pasi siç tha ai kështu mund të adresohen sfidat e kohës digjitale.
“Edhe tek ne po krijohet një botë e re.Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtëpërdrejtë me ju”, tha ai.
Rama u kërkoi atyre të flasin hapur, por kjo kërkesë e kryeministrit nxori në pah censurën e plotë që mbretëron brenda institucioneve publike.
Duke folur me tone humori, Rama në fakt tregoi një të vërtetë të hidhur, që institucionet duken që nuk janë të lira të artikulojnë mendimet e tyre.
“Këtu ne ju kemi ftuar që të na flisni shumë hapur. Juve e keni edhe lirinë, që të thoni atë që doni dhe mendoni, sepse nuk keni asnjë lloj varësi nga ne. Jo vetëm që nuk keni asnjë lloj varësie nga ne, por dispononi edhe instrumente që mund të na bëni dëm në rast se doni të merrni hak për ndonjë komunikim të papërshtatshëm nga ana jonë. Madje madje të na e bëni dëmin edhe pa u kuptuar që jeni ju që po e bëni dëmin edhe ta shijoni bashkë me ato talentet atje që keni duke na parë se si na bllokoni ”, tha Rama.
Më tej, Rama propozoi ngritjen e një Këshilli ose Forumi ku të mblidhen tre herë në vit për të diskutuar mbi problemet dhe arritjet në këtë fushë.
“Ja vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi të paktën 3 herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat, qoftë për mirë qoftë për keq, të katërmujorit të mëparshëm, natyrisht nëse ju jeni dakord”, theksoi ai.