Trump: Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-së deri në 50 milionë fuçi naftë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Venezuela do t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, të cilat do të shiten me çmimin e tregut, ndërsa të ardhurat do të menaxhohen nga SHBA.

Sipas Trump, autoritetet e përkohshme në Venezuelë do të transferojnë atë që ai e quajti “naftë të sanksionuar”. Në një postim në rrjetin Truth Social, ai tha se të ardhurat nga shitja e naftës do të përdoren për të përfituar populli i Venezuelës dhe i Shteteve të Bashkuara.

Trump njoftoi gjithashtu se Sekretari i Energjisë, Chris Wright, është udhëzuar që ta zbatojë planin “menjëherë”, ndërsa nafta do të transportohet me anije-cisternë dhe do të dërgohet drejtpërdrejt në portet amerikane për shkarkim.

Një zyrtar i lartë i administratës, duke folur për CNN në kushte anonimiteti, tha se nafta është prodhuar tashmë dhe është futur në depo. Pjesa më e madhe ndodhet aktualisht në anije dhe do të dërgohet në objektet amerikane në Gjirin e Meksikës për përpunim.

Megjithëse sasia prej 30 deri në 50 milionë fuçish duket e madhe, SHBA konsumon mbi 20 milionë fuçi naftë në ditë. Analistët vlerësojnë se kjo sasi mund të ulë disi çmimet e naftës, por nuk pritet të ketë ndikim të madh në çmimet e karburantit për konsumatorët amerikanë.

Si krahasim, ish-presidenti Joe Biden liroi rreth 180 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike e Naftës në vitin 2022, çka uli çmimet e benzinës vetëm me 13 deri në 31 cent për gallon gjatë katër muajve, sipas një analize të Departamentit të Thesarit.

Menjëherë pas njoftimit të Trumpit, çmimi i naftës amerikane ra me rreth 1 dollar për fuçi, ose afro 2 për qind, duke u ulur në 56 dollarë.

Shitja e deri në 50 milionë fuçive mund të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme. Me çmimin aktual prej rreth 55 dollarësh për fuçi për naftën venezuelase, SHBA mund të përfitojë nga 1.65 deri në 2.75 miliardë dollarë.

Venezuela ka grumbulluar rezerva të mëdha nafte që nga vendosja e embargos amerikane ndaj sektorit të saj të energjisë. Megjithatë, dorëzimi i një sasie kaq të madhe mund të ndikojë ndjeshëm në rezervat e vendit.

Sipas analistit Phil Flynn nga Price Futures Group, nafta do të vijë si nga depot tokësore të Venezuelës, ashtu edhe nga disa anije-cisternë të sekuestruara, që transportonin nga 15 deri në 22 milionë fuçi naftë.

Ende nuk është e qartë se brenda çfarë afati kohor do të realizohet transferimi. Zyrtarët amerikanë thonë se procesi do të jetë i shpejtë, pasi nafta venezuelase është shumë e rëndë dhe nuk mund të ruhet për periudha të gjata, edhe pse ekspertë të tjerë theksojnë se nafta nuk prishet nëse nuk rafinohet menjëherë.