Me gjëmimin e raketave dhe bombave, me një britmë indinjate ndërkombëtare dhe me vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, trashëgimia e Presidentit Donald Trump u bë më e qartë se kurrë.
Ai po varros shekullin XX: armiqtë e tij, aleancat e tij, normat politike dhe armëpushimet e tij. Dhe po çliron një të ardhme pasigurie dhe trazirash, pa asnjë ekuilibër të ri në horizont.
Gjatë të dy mandateve të tij si president, në shumë fusha të politikës, qeverisjes dhe kulturës, arritjet e tij më të spikatura kanë qenë akte shkatërrimi.
Të emëruarit e tij në Gjykatën e Lartë rrëzuan vendimin historik Roe v. Wade, duke i dhënë fund ngërçit politik dhe juridik mbi të drejtat e abortit që kishte dominuar Amerikën që nga vitet 1970.
Ndërhyrjet e tij ushtarake në Amerikën Latine e kanë çuar qeverinë kubane, një nga regjimet e fundit të mbijetuara të Luftës së Ftohtë, në prag të kolapsit.
Tarifat dhe kërcënimet e tij tregtare kanë shpërbërë konsensusin Reagan–Clinton mbi tregtinë e lirë, duke përmbysur gjysmë shekulli marrëveshjesh tregtare globale dhe marrëdhëniesh diplomatike.
Botëkuptimi i tij “America First” dhe përbuzja ndaj establishmentit politik evropian e kanë shtyrë gjithnjë e më shumë Kartën e NATO-s, marrëveshjen e vitit 1949 që krijoi aleancën më të fuqishme ushtarake në botë – drejt statusit të një relike të vjetruar.
Veprimet e tij të favorizimit korporativ dhe pasurimit personal, si dhe përdorimi i sistemit të drejtësisë si armë hakmarrjeje, kanë fshirë normat ligjore dhe etike të presidencës që u konsoliduan pas skandalit Watergate.
Dhe në orët e para të luftës në Iran, sulmi i Trump vrau udhëheqësin e kahershëm të revolucionit iranian të vitit 1979, Ali Khamenei, një diktator po aq i pamëshirshëm sa edhe i moshuar.
Në çdo rast, aleatët dhe admiruesit e Trump thonë se ai po përfundon punët e papërfunduara të një brezi: po bën atë që udhëheqës të tjerë amerikanë kanë qenë shumë të dobët, shumë konvencionalë apo shumë pak patriotë për ta bërë vetë.
Por në secilin rast, Trump po shemb struktura dhe sisteme të vjetra pa një vizion të qartë për t’i zëvendësuar ato. Në moshën 79-vjeçare, ai vetë është produkt i epokës që tani po e shpërbën, me një botëkuptim të formuar në dekadat e pasluftës së Dytë Botërore – një periudhë prosperiteti dhe trazirash shoqërore në Amerikë. Nuk është e qartë nëse ai ka interes të hartojë politika madhore për të ardhmen.
Edhe nëse Trump do të kishte imagjinatën e një modernizuesi, koha për të ndërtuar një rend të ri është e kufizuar. Atij i mbeten rreth 35 muaj si president, afërsisht sa koha për të realizuar një film të madh – dhe vetëm tetë muaj deri në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat mund t’ia zbehin fuqinë.
Nuk ka shumë gjasa që para largimit të tij nga detyra të shohim një rend të qëndrueshëm tregtar global, qeveri të reja të konsoliduara në Havana dhe Teheran, apo një rend sigurie ndërkombëtare pas NATO-s që pasqyronte fatin e vonuar të Amerikës si fuqi e Paqësorit.
Është edhe më e vështirë të imagjinohet që Trump të udhëheqë një proces të vështirë kompromisi legjislativ për çështje të pazgjidhura prej dekadash, si aborti apo borxhi kombëtar — megjithëse ai mund të jetë i vetmi president që do të mund të impononte një marrëveshje të madhe për emigracionin.
Kundërshtarët e Trump e kanë kritikuar shpesh për ndjenjën e tij sipërfaqësore të historisë: për hedhjen poshtë me nxitim të arritjeve të shekullit XX si NATO, NAFTA apo START; për komentet e tij të thjeshta mbi figura si Abraham Lincoln apo Andrew Jackson; apo për përsiatjet e tij të çuditshme publike se Frederick Douglass po njihet gjithnjë e më shumë.
Ky filistinizëm dhe injorancë historike ishin në thelb të argumentit të Joe Biden kundër Trump. Biden e quajti Trump një fyerje ndaj traditës politike amerikane dhe premtoi ta bënte Uashingtonin funksional, të riparonte normat e dëmtuara dhe t’ia dorëzonte pushtetin brezit të ardhshëm. Administrata e tij, e ngadaltë, vetëkënaqëse dhe politikisht jofunksionale, nuk arriti asnjërin prej këtyre qëllimeve.
Nëse ekzistonte një mundësi për të ndërtuar një urë drejt shekullit XX, Biden e humbi atë.
Herën tjetër që vendi të zgjedhë një zëvendësues për Trump, ringjallja e së kaluarës nuk do të jetë më një opsion.
Për politikëbërësit dhe votuesit amerikanë, nuk ekziston më mundësia e imitimit të një “détente” me regjimet në Iran dhe Kubë që po shpërbëhen në këto çaste. Barack Obama e ndoqi këtë synim si pjesë të axhendës së tij për shekullin XXI; ajo rrugë tani është mbyllur përfundimisht.
Besueshmëria e Amerikës si negociatore tregtare dhe partnere ekonomike tashmë ka ndryshuar përgjithmonë; presidenti i ardhshëm nuk do të mund t’i rikthejë marrëdhëniet tregtare të epokës Bush, edhe nëse do ta dëshironte. Vendi i NATO-s në botë nuk do të rikthehet aty ku ishte në vitin 1998 vetëm sepse presidenti i ardhshëm do të shqiptojë fjalët e duhura për përkushtimin e Uashingtonit ndaj aleatëve.
Kjo tashmë është e qartë për udhëheqësit që e shohin Shtetet e Bashkuara nga jashtë.
“E dimë se rendi i vjetër nuk do të kthehet,” tha kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror muajin e kaluar. Fjalimi i tij, që shpalli një “çarje” epokale në gjeopolitikë, ishte ngjarja kulmore e Davosit për një arsye.
Megjithatë, pavarësisht zellit të Trump për të shkatërruar institucionet e mëdha, armiqtë dhe konventat e së kaluarës, ai deri më tani ka dështuar të ngulë një axhendë të qëndrueshme për të ardhmen. Shumë prej politikave të tij, në teknologji, energji dhe siguri ndërkombëtare, mund të ndryshohen apo zhbëhen me një të rënë të lapsit, ashtu si ndodhi me politikat e Biden. Të tjera, si uljet e mëdha të taksave, janë jopopullore dhe përballen me një fat të pasigurt sapo demokratët të rikthehen në pushtet. Koalicioni i larmishëm që i dha Trump fitoren në zgjedhjet e vitit 2024, dhe që ngjalli shpresa për një riorganizim të qëndrueshëm republikan, u përça brenda muajve të parë të mandatit të tij.
Nëse shekulli XX më në fund ka marrë fund, drejtimi i këtij vendi në shekullin XXI mbetet një pikëpyetje e madhe.
Kjo është sfida e madhe që Trump i lë presidentit të ardhshëm. Për një pasardhës me vizion, ajo mund të jetë edhe një mundësi e papërsëritshme në historinë e fundit të Shteteve të Bashkuara.
Marrë nga Politico.com/ Përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari