Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se ka zhvilluar një bisedë të tensionuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës e ka kritikuar ashpër për përshkallëzimin e konfliktit në Liban. Sipas mediave amerikane, pas ndërhyrjes së Trumpit, Izraeli anuloi sulmet ajrore të planifikuara ndaj Libanit.
Sipas raportimeve të Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë, Trump telefonoi Netanyahun të hënën për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Liban, në një moment kur tensionet rajonale janë rritur dhe negociatat me Iranin po përballen me vështirësi.
Burimet amerikane pretendojnë se presidenti amerikan përdori një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër gjatë telefonatës, duke paralajmëruar se vazhdimi i bombardimeve do ta izolonte edhe më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare.
“Po të mos isha unë, do të ishe në burg. Unë po të shpëtoj. Të gjithë ju urrejnë tani. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”, citohet të ketë thënë Trump sipas një zyrtari të Uashingtonit.
Një burim tjetër i njohur me bisedën tha se Trump ishte jashtëzakonisht i zemëruar dhe në një moment i bërtiti Netanyahut: “Çfarë po bën?”.
Më vonë, Trump e përshkroi telefonatën si “shumë produktive”, duke pretenduar se kishte bindur si Izraelin ashtu edhe Hezbollahun të ulnin tensionet. Sipas tij, Izraeli pranoi të mos dërgojë trupa në jug të Bejrutit, ndërsa Hezbollahu u zotua të ndalojë sulmet.
“Nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut dhe ato që ishin nisur tashmë janë kthyer mbrapsht”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se përmes përfaqësuesve të nivelit të lartë kishte zhvilluar kontakte me Hezbollahun dhe se të dyja palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet.
Nga ana tjetër, Netanyahu publikoi versionin e tij të telefonatës, duke deklaruar se i kishte bërë të qartë Trumpit se Izraeli do të vazhdojë të godasë objektivat e Hezbollahut nëse grupi militant vazhdon sulmet ndaj qyteteve dhe qytetarëve izraelitë.
“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”, deklaroi kryeministri izraelit.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se kishte interceptuar dy raketa të lëshuara nga Hezbollahu të martën në mëngjes, ndërsa një dron goditi një post ushtarak izraelit. Nuk u raportuan viktima.
Situata ka krijuar gjithashtu pasiguri rreth negociatave me Iranin. Ndërsa media iraniane Tasnim raportoi se Teherani kishte ndërprerë bisedimet, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës, Trump dha mesazhe kontradiktore.
“Nuk më intereson nëse bisedimet kanë përfunduar apo jo. Nëse kanë mbaruar, kanë mbaruar. Nëse jo, mendoj se po zgjasin shumë”, deklaroi ai për CNBC.
Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, presidenti amerikan shkroi në Truth Social se “bisedimet me Republikën Islamike të Iranit po vazhdojnë me ritëm të shpejtë”, duke shtuar konfuzionin mbi të ardhmen e negociatave.