Ushtria amerikane sulmoi Iranin të premten, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron që Teherani kreu ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të arritur javën e kaluar.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avionët amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh, si edhe pozicione radarësh bregdetarë. Më pas publikoi një video bardhezi me cilësi të ulët, ku shfaqej një shpërthim, e cilësuar si material “i paklasifikuar”. Një zyrtar amerikan konfirmoi se operacioni kishte përfunduar.
Nga ana tjetër, Irani deklaroi se një predhë goditi zonën pranë një moli në Sirik, në jug të vendit, dhe se forcat detare iraniane iu përgjigjën duke goditur objektiva ushtarake amerikane në rajon. Megjithatë, Teherani nuk dha detaje mbi objektivat e goditura.
Ndërkohë, pati edhe zhvillime pozitive në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit katërmujor. Izraeli dhe Libani nënshkruan një marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani. Të dyja palët e cilësuan marrëveshjen si një hap fillestar, që parashikon çarmatimin e Hezbollahut dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Libani. Megjithatë, mbetet e paqartë mënyra e zbatimit të saj, ndërsa Hezbollahu deklaroi se nuk do të bashkëpunojë.
“Dhuna do të përballet me dhunë”, deklaron Vance
Teherani ka bërë të ditur se do të ushtrojë kontroll mbi trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëroi shtetet e Gjirit të mos rreshtohen me Uashingtonin pas sulmit të së enjtes ndaj një anijeje tregtare pranë brigjeve të Omanit. Presidenti Donald Trump fajësoi Iranin për sulmin dhe tha se ai përbënte shkelje të marrëveshjes së përkohshme të javës së kaluar.
“Në mënyrë të pajustifikuar, agresioni i forcave iraniane ndaj transportit tregtar detar përbën një shkelje të qartë të armëpushimit,” deklaroi Komanda Qendrore e SHBA-së, duke e cilësuar operacionin si “një përgjigje të fuqishme ndaj sulmit të djeshëm kundër një anijeje tregtare që po kalonte në Ngushticën e Hormuzit.”
Ushtria amerikane theksoi se do të vazhdojë të ofrojë koordinim dhe mbështetje për kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë korridor strategjik.
Zëvendëspresidenti JD Vance, dikur skeptik ndaj ndërhyrjes amerikane në Iran, por tashmë një nga zërat kryesorë të administratës Trump për këtë konflikt, deklaroi se SHBA-ja ka respektuar marrëveshjen e armëpushimit.
“Irani nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit dhe ne e kemi respektuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën e zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit, mund të komunikojnë përmes kanaleve diplomatike. Por dhuna do të përballet me dhunë,” shkroi Vance në platformën X.
Irani: U goditën objektiva amerikane
Mediat shtetërore iraniane, duke cituar një burim ushtarak anonim, raportuan se një shpërthim ndodhi pranë portit të Sirikut. Burimi tha se disa të shtëna paralajmëruese ishin qëlluar ndaj mjeteve lundruese që kishin shkelur rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa dy raketa paralajmëruese ishin lëshuar edhe nga zona e Karpanit.
Të shtunën, agjencia Mehr raportoi, duke cituar drejtuesin e porteve në Hormozganin lindor, se sulmi amerikan nuk kishte shkaktuar dëme në portin e Sirikut dhe se aktiviteti portual vijonte normalisht.
Garda Revolucionare Islamike deklaroi se, si kundërpërgjigje, marina iraniane goditi bazat ku janë të dislokuara forcat ushtarake amerikane në rajon dhe paralajmëroi se çdo sulm tjetër amerikan do të përballet me një reagim edhe më të gjerë.
Sipas Gardës Revolucionare, marrëveshja e armëpushimit i njeh Iranit kontrollin mbi trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.
“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, duke provokuar në fronte të ndryshme, u përpoqën të shkelin këtë angazhim. Përgjigjja e nevojshme u dha dhe do të vazhdojë të jepet. Nëse agresioni përsëritet, reagimi ynë do të jetë edhe më i gjerë,” thuhet në deklaratë.
Çmimet e naftës bien
SHBA-ja nuk reagoi menjëherë ndaj pretendimeve të Iranit se kishte goditur objektiva amerikane, një taktikë që, sipas analistëve, synon të ushtrojë presion ndaj aleatëve të Uashingtonit në rajon.
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se presidenti Trump nuk ka treguar përkushtim ndaj parimeve të negociatave apo armëpushimit.
“Kjo shkelje e pamatur e armëpushimit do të çojë, si gjithmonë, në tërheqje dhe pendesë nga ana e tyre,” shkroi Azizi në platformën X.
Përpara përshkallëzimit të ri të dhunës, çmimet e naftës ranë me rreth 3% të premten, duke u drejtuar drejt humbjeve të mëdha javore. Rënia erdhi pasi cisternat e naftës rifilluan kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG).
Kompania saudite Aramco rifilloi ngarkimin e naftës bruto në terminalin Ras Tanura, porti më i madh i naftës në botë, pas një ndërprerjeje gati katërmujore.
Gjithashtu, janë shtuar edhe dërgesat e plehrave kimike përmes ngushticës, duke zbutur shqetësimet për një rritje të mundshme të çmimeve globale të ushqimeve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në përfundim të një turi në vendet e Gjirit për të siguruar aleatët rajonalë lidhur me marrëveshjen e përkohshme, publikoi një deklaratë të përbashkët me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, ku kërkohet “lundrim i lirë, pa kushte dhe pa kufizime” në Ngushticën e Hormuzit, pa tarifa dhe pa tentativa për vendosjen e kontrollit mbi të.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se Ngushtica e Hormuzit duhet të administrohet nga Irani dhe Omani, ndërsa Ali Akbar Velayati, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem iranian, paralajmëroi se mbijetesa e aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik varet nga toleranca e Teheranit.