Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi akuzohet si autori që ka qëlluar me automatik në drejtim të një servisi celularësh në Babrru.
Sipas bluve të Tiranës, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes të riut dhe pronarit të servisit. Si pasojë e të shtënave nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit.
Adoleshti u kap nga policia rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes teksa tentonte të largohej. Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në Babrru një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh, organizuan menjëherë një operacion policor për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Nga veprimet hetimore u dokumentua se autori i dyshuar, shtetasi R. M., 18 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.
Në kuadër të operacionit policor “Zbulimi” të organizuar dhe të zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër, shërbimet e Policisë lokalizuan, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. M., 18 vjeç.
Gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.