Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar Iranin, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme dhe duke shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal.
Ndërkohë presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.
Trump u shpreh se administrata e tij kishte bërë përpjekje të përsëritura për të arritur një marrëveshje me Iranin lidhur me programin bërthamor.
“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i pamëshirshëm, shumë i ashpër dhe i rrezikshëm,” tha presidenti amerikan.
“Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën,” u shpreh ai në mesazhin tetëminutësh.
“Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke synuar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëz të pafajshëm në shumë e shumë vende,” tha ai.
Izraeli ka shpallur gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme në vend, nga frika e hakmarrjes iraniane.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi shpalljen e një “gjendjeje të veçantë dhe të përhershme emergjence” në të gjithë territorin e Izraelit. Ai theksoi se operacioni ushtarak kishte si qëllim “largimin e kërcënimeve kundër Shtetit të Izraelit”, duke lënë të kuptohet se autoritetet izraelite besojnë se ekzistonte një rrezik i afërt nga ana e Iranit.
Ende nuk ka një bilanc zyrtar për dëmet apo viktimat e mundshme, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë detaje të plota mbi objektivat e goditura. Megjithatë, burime pranë qeverisë iraniane kanë paralajmëruar se çdo sulm do të marrë “përgjigje të fortë”.