Trump do të ndërpresë “statusin e mbrojtjes” për afganët dhe kamerunasit

Mijëra afganë dhe kamerunas do të humbasin statusin e mbrojtjes së përkohshme (TPS), ka njoftuar Departamenti i Sigurisë së Brendshme i SHBA-ve.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, e konsideroi se kushtet në Afganistan dhe Kamerun nuk e meritojnë më mbrojtjen amerikane, sipas një deklarate nga ndihmës-sekretarja e DHS, Tricia McLaughlin.

Rreth 14,600 afganë, të cilët më parë ishin të kualifikuar për statusin TPS, do të humbasin atë në muajin maj, ndërsa rreth 7,900 kamerunas do të humbasin të njëjtin status në muajin qershor.

Ky njoftim vjen në të njëjtën ditë kur një gjykatës amerikan vendosi që administrata Trump mund të deportojë një të diplomuar universiteti, i cili ishte arrestuar muajin e kaluar për pjesëmarrjen në protesta pro-palestineze.

Statusi TPS jepet për shtetasit e vendeve të caktuara, të cilët përballen me kushte të vështira, siç janë konfliktet ushtarake ose katastrofat mjedisore, që i bëjnë të rrezikshme kthimin në atdhe.

Ky status është i vlefshëm për deri në 18 muaj, mund të rinovohet nga sekretari i Sigurisë së Brendshme dhe ofron mbrojtje nga deportimi dhe mundësi për punësim.

Sipas McLaughlin, në shtator 2023, sekretari i Sigurisë së Brendshme të atëhershëm, Alejandro Mayorkas, njoftoi se statusi TPS për afganët do të zgjatej për 18 muaj deri më 20 maj të këtij viti.

Por, më 21 mars, pas konsultimeve me agjencitë qeveritare të SHBA-së, Noem “përcaktoi se Afganistani nuk përmbush më kërkesat ligjore për statusin e tij TPS dhe kështu e ndërpreu këtë status për Afganistanin”, tha McLaughlin.

Ajo shtoi se vendimi i Noem u bazua në një rishikim të kushteve në Afganistan nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA (USCIS), ku Talebanët morën përsëri kontrollin pothuajse katër vjet më parë.

Një vendim i ngjashëm për të ndërprerë statusin e Kamerunit për TPS u mor më 7 prill, tha McLaughlin.

Muajin e kaluar, administrata Trump njoftoi se do të revokonte gjithashtu statusin ligjor të përkohshëm për më shumë se gjysmë milioni migrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela.