Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit gjatë fjalës së tij në samitin e NATO-s në Turqi, duke e cilësuar regjimin iranian si “të keq”, ndërsa udhëheqësit e tij i përshkroi si “njerëz të sëmurë” dhe “kancer”.
Trump përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se Teheranit nuk duhet t’i lejohet në asnjë rrethanë të zhvillojë armë bërthamore.
“Drejtuesit iranianë janë njerëz të këqij. Janë kancer dhe ju e dini se çfarë duhet bërë me kancerin, duhet ta ndalosh sa më shpejt”, deklaroi presidenti amerikan.
Gjatë fjalës së tij, Trump iu referua edhe sulmeve të raportuara të së martës ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, si dhe goditjeve ndaj objektivave në Kuvajt dhe Bahrein, duke i përdorur ato si shembuj për të argumentuar se regjimi iranian përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti amerikan theksoi se administrata iraniane është “e çmendur” dhe ritheksoi se SHBA do të vazhdojë të kundërshtojë çdo përpjekje të Iranit për të siguruar kapacitete bërthamore ushtarake.