Tritol në derën e banesës në Tiranë, merret në pyetje pronarja

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 02:50 të mëngjesit të kësaj të shtune, në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi lënde plasëse ishte vendosur në derën e një banese, në katin e parë të ndërtesës.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar.

Pronarja e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor, e cila ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 14.11.2026, rreth orës 02:50, në rrugën “Sadik Petrela”, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse e vendosur në derën e jashtme të apartamentit të shtetases A. M., 47 vjeçe. 

Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.