Një tren urban është përplasur me një vinç në juglindje të Spanjës, duke shënuar aksidentin e katërt hekurudhor në vend brenda më pak se një jave.
Sipas autoriteteve, katër persona kanë pësuar lëndime të lehta nga përplasja pranë qytetit portual Kartagjena, në rajonin e Murcias.
“Treni nuk është përmbysur dhe as nuk ka dalë nga shinat,” deklaroi një zëdhënës i shërbimeve të emergjencës në Murcia.
Spanja vijon të jetë nën tronditjen e aksidentit të rëndë të së dielës, kur një tren me shpejtësi të lartë u përplas në rajonin jugor të Andaluzisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 43 personave.
Dy ditë më vonë, një tjetër tren urban doli nga shinat pranë Barcelonës, pasi një mur mbrojtës u shemb mbi linjë për shkak të reshjeve të dendura. Si pasojë, humbi jetën drejtuesi i trenit dhe katër pasagjerë u plagosën rëndë.
Pas këtyre ngjarjeve, sindikata kryesore e drejtuesve të trenave në Spanjë bëri thirrje për një grevë mbarëkombëtare, duke protestuar për standardet e sigurisë, veçanërisht pas një tjetër përplasjeje të ndodhur të martën në rajonin e Katalonjës.
Ndërkohë, operatori spanjoll i infrastrukturës hekurudhore, Adif, njoftoi se qarkullimi në linjën e Murcias u ndërpre për shkak të asaj që e përshkroi si “hyrje të një vinçi, që nuk i përkiste operimit hekurudhor, në zonën e sigurisë së infrastrukturës”.