Tre vite pa Petraq Kolevicën, arkitektin që sfidoi diktaturën dhe la gjurmë në kulturën shqiptare

Në trevjetorin e ndarjes nga jeta, përkujtohet figura e arkitektit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Petraq Kolevica (11 janar 1934 – 13 shkurt 2023), një personalitet me kontribute të shumta në kulturën dhe arkitekturën shqiptare.

Kolevica u dallua si arkitekt me stil të veçantë modern, duke lënë gjurmë të rëndësishme në Tiranë dhe në vendlindjen e tij, Korçë. Gjatë regjimit komunist, projektet e tij u kritikuan shpesh për “ndikime borgjeze”. Debati i tij me Enver Hoxha për projektin e Bibliotekës së Korçës shënoi fundin e karrierës së tij si arkitekt, pas të cilit u dërgua të punonte në minierën e Valiasit.

Biblioteka e Korçës mbeti një nga veprat më të debatueshme të tij, ndërsa rikonstruksioni i mëvonshëm i godinës u cilësua si “masakrim” nga arkitekti i ndjerë Maks Velo. Në vitin 2019, ai u nderua me çmimin “Mjeshtër i Madh” nga shoqata e arkitektëve.

Përveç arkitekturës, Kolevica ishte edhe poet, përkthyes dhe autor i disa librave, mes tyre “Lasgushi më ka thënë”, “Me Mitrushin” dhe autobiografia “Arkitektura dhe Diktatura”. Ai pati miqësi me figura të shquara të artit dhe letërsisë shqiptare si Vangjush Tushi, Vangjush Miho, Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci.

Në përvjetorin e tretë të ndarjes së tij nga jeta, vepra dhe kontributi i Petraq Kolevicës rikujtohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë arkitektonike dhe kulturore shqiptare.

Së fundmi, nderojmë Petraq Kolevicën dhe veprën e tij duke botuar disa poezi të tija origjinale dhe foto të disa ndërtesave të tij, që shpresojmë të mos prishen por të ruhen si pjesë e traditës arkitektonike të Shqipërisë dhe dëshmitare të një kohe të vështirë.

Tre Poezi origjinale

Në poezinë që vijon, Kolevica përpunon dhimbjen e tij për humbjen e të drejtës së profesionit dhe falenderon gruan e tij të dashur Editën që i qëndroi gjithnjë pranë.

TI

Në këto dit’ e këto nete,

Kur po kaloj nëpër tërmete,

Kur m’iu vu shkelmi gjith një jete,

E vetmja Ti përkrah m’u gjete,

E dashur qe, e dashur mbete,

Gëlltite lotët në vetvete,

Më hodhe krahun … U mbështete …

Atëhere ndjeva me gëzim,

Se jeta prapë kish kuptim.

19 nentor 1975

SIRENA

Këndon sirena dhe noton,

Se lundrën do të ndalë.

Rri Odiseu e dëgjon

Dhe dot s’i flet një fjalë.

Rri Odiseu dhe duron

Pas lundrës i mbërthyer,

Pa zemra ngrihet e lufton

Me brinjët, për t’i thyer.

Thërret sa ndihet breg me breg

Po shokët s’i përgjigjen.

Atje, i lidhur në direk,

Nga lotët syt’ i digjen.

Largohet lundra dhe humbet

Në detin e pa anë;

Hesht Odiseu. Rri e s ‘flet

Dhe shoket s’i do pranë.

Del hën’ e plotë lart mbi mal

Dhe përmbi retë hip,

Siren’ e vogël qan ngadal,

Me lotët detin krip.

Dhe Odiseu, i mërzitur,

I mbetur lundërthyer,

Shtrëngon te zemra e zhuritur

Nje këngë aq të vyer.

Shtator 1977

DALLËNDYSHJA

Fluturo, dallëndyshe, Fluturo!

Shumë shoqe të shkuan me parë,

Shko dhe ti me ato,

Mos qëndro

Përmbi lisin e tharë.

Lisi, që mbi supe të mban,

Tek ti sheh ato hire,

Fshan

Dhe i kërrusur qan

Me lotë të rëndë rrëshire.

Shko, pra, dallëndyshe,

Fluturo

Tok me shoqet,

që shkuan me parë.

Lëre lisin e tharë

Atje,

Me gjoks e me zemër te çarë.

Dhe në takofsh ndonjë re,

Lutju,

Lutju t’i hedhë një rrufe

Edhe t’i verë zjarrë!

1984

Foto të ndërtesave

Ndërtesë në afërsi të bllokut e realizuar atëhere në një hapësirë të vogël të cilën arkitekti e shfrytëzoi me shumë aftësi dhe i dha gjerësi duke vënë përpara një “liqen” fare të vogël.

Petraq Kolevica përpara ndërtesës afër bankës kombëtare në vitin 1961.

Mehmet Shehu e thirri Petraqin asokohe në zyrë, e kritikoi rëndë për ndikime borgjeze dhe i vuri kryq vizatimit të fasadës me një laps të kuq.

Megjithatë projekti u realizua vetëm me disa ndryshime të vogla.

Pamje nga jashtë e Bibliotekës së Korçës, pak pasi u ndërtua si dhe interiori me shkallën e mrekullueshme.