Të hënën pasdite, një vajzë 4-vjeçare u gjet e vdekur në pishinën e një vile në Paxos, pas një momenti tragjik kur i shpëtoi vëmendjes së prindërve të saj. Vajza e vogël ishte fëmija i vetëm i një familjeje nga Shqipëria, të cilët kanë jetuar dhe punuar në ishull për shumë vite, bëjnë me dije mediat greke.
E mitura ishte duke luajtur në kopshtin e banesës së saj rreth orës 15:00, kur i shpëtoi vëmendjes së nënës.
Pas kërkimeve të menjëhershme nga nëna dhe fqinjët, vogëlushja u gjet disa minuta më vonë, rreth 150 metra larg banesës, në pishinën e një vile turistike, nga kuzhinieri i objektit. Në atë moment, pushuesit e vilës nuk ndodheshin në vend.
Vajza u transportua me urgjencë në qendrën shëndetësore të ishullit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të shpëtohej.
Aktualisht, nëna e fëmijës po mbahet në Departamentin e Policisë së Paxos dhe pritet të dalë para prokurorit në ditët në vijim.