TRAFIK DEPUTETËSH/ Si PD përdori listat e kandidatëve për të zhvatur milionat e shqiptarëve

Nëse ka diçka që partitë politike dhe politikanët në Shqipëri dinë ta bëjnë më së miri, është të keqpërdorin taksat e qytetarëve, duke përdorur metoda nga më të ndryshme, të paligjshme apo edhe të ligjshme.

Publikimi i listave në KQZ ka zbuluar një të vërtetë të madhe e të hidhur për shqiptarët, që do të shohin se si do të zhvaten paratë e tyre nga parti “të vdekura” që kanë mbijetuar gjithë këto vite falë mëshirës së partive të mëdha.

Partia Demokratike shpalli koalicionin për Shqipërinë Madhështore, duke marrë pranë saj dhjetëra parti që nuk kanë asnjë peshë elektorale, me kryetarë anonimë apo edhe më keq, me kryetarë që janë bërë meme në rrjetet sociale.

Por, këto parti do të kenë mundësinë që në 4 vitet e ardhshme të financohen me qindra miliona lekë të shqiptarëve falë marifeteve të PD-së, që kandidatët e saj i futi në listë me logot e këtyre partive. E thënë më qartë: Trafik deputetësh!

Besart Xhaferi, kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, është në listën e sigurt në Tiranë nën siglën e Partisë Balli Kombëtar, që falë tij do të marrë të paktën 320 mijë euro në 4 vitet e ardhshme.

Kështu është vepruar edhe me Klevis Balliun, edhe ky në listën e sigurt, që kandidon nën siglën e Partisë Fryma e Re Demokratike. Edhe kjo parti do të arrijë të zhvasë 320 mijë euro, pavarësisht se nuk ka asnjë ndikim në jetën politike të këtij vendi.

Po e njëjta gjë është bërë edhe me shumë kandidatë të tjerë në lista të hapura, me partitë e vogla që shpresojnë që kandidatët e tyre të marrin mandatin, për të përfituar milionat nga qytetarët shqiptarë, që sërish vijojnë të zhvaten nga të njëjtët njerëz.

Rigels Xhemollari, aktivist i Qëndresa Qytetare, thotë se për hir të koalicionit me PD, partitë e vogla do të marrin nga buxheti i shtetit rreth 2 milionë euro. Sipas tij, PD po e nis garën me vjedhje ndaj qytetarëve.

“Trafiku i deputetëve brenda listes se PD per te vjedhur taksat e qytetareve!

Koalicioni Madheshtor na ka fshehur nje te vertete te hidhur, nepermjet te ciles do te mbajme me para dhe oksigjen disa parti te vdekura edhe per 4 vitet e ardhshme.

PD ka trafikuar kandidate te sajet tek Partia e Ballit, Legalitetit, Ndokes, ne menyre qe ne ti japim 4 vitet e ardhshme Ballit 320 000 euro, ti paguajme edhe qera zyre, uje drita per 4 vite.

Te njejten gje ka bere me Balliun, Ristanin, e figura te tjera, tek parti te tjera fantazem, te cilet per hir te koalicionit me PD do marrin nga parate tona 4 vitet e ardhshme mbi 2 milion euro.

Ta nisesh garen me vjedhje ndaj qytetareve eshte premise per te vjedhur cdo mundesi qe te del para”, shkruan ai.