Tentoi të trafikonte një vajzë të mitur drejt Kosovës, në pranga 22 vjeçari dhe shoku i tij

Dy të rinj janë arrestuar në Morinë pasi tentuan që të trafikonin një 14 vjeçare në Kosovë.

Policia Kufitare ka ndaluar mjetin ku udhëtonin 22 vjeçari Eldi Guri, 18 vjeçari A.K, si edhe 14 vjeçarja, e cila ishte shpallur në kërkim pas denoncimit që kishte bërë familja e saj.

Nga hetimet paraprake, 22 vjeçari kishte qëllim trafikimin e të miturës drejt Kosovës. Ndërkohë shoku i tij akuzohet për moskallëzim të krimit.

Një ditë më parë, familjarët e vajzës 14-vjeçare kishin kallëzuar në Drejtori Vendore të Policisë Durrës për largimin e saj nga banesa, duke çuar në fillimin e hetimeve që çuan në identifikimin e saj në pikën kufitare.

NJOFTIMI:

Policia Kufitare ka goditur një rast të tentativës për trafikim të të miturve, duke arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar dhe një bashkudhëtar të tij, në pikën kufitare të Morinës.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të analizës së riskut dhe kontrollit të detajuar të mjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë ndaluar një automjet që drejtohej nga shtetasi E. G., 22 vjeç, banues në Berat. Në automjet ndodheshin gjithashtu shtetasi A. K., 18 vjeç dhe një shtetase 14-vjeçare, e shpallur në kërkim familjar nga DVP Durrës për largim nga banesa.

Nga hetimet paraprake dyshohet se E. G. kishte qëllim trafikimin e të miturës drejt territorit të Kosovës, ndërsa bashkëudhëtari i tij, A. K., akuzohet për moskallëzim të krimit, pasi ka qenë në dijeni të qëllimit të udhëtimit.

Të dy shtetasit u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës.

E. G., 22 vjeç, u arrestua për veprën penale “Trafikimi i të miturve”,
ndërsa
A. K., 18 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndërkohë, më datë 28.09.2025, familjarët e vajzës 14-vjeçare kishin kallëzuar në Drejtori Vendore të Policisë Durrës për largimin e saj nga banesa, duke çuar në fillimin e hetimeve që çuan në identifikimin e saj në pikën kufitare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.