Tentativa e Belinda Ballukut për të fshehur dështimin në Shpirag: Presim lajme të mira nga zona të tjera naftëmbajtëse

Nëse ka diçka që kjo qeveri di ta bëjë më së miri, është propaganda dhe justifikimi për çdo dështim apo skandal.

Kryeministri Rama e ka perfeksionuar këtë aftësi, ndërkohë që nuk mbeten pas edhe ministrat e kabinetit qeveritar apo kryebashkiakët, që tashmë kanë mësuar të kopjojnë çdo justifikim të liderit të tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka reaguar sot për herë të parë në lidhje me lajmet që qarkullojnë prej ditësh në media, se kërkimet për naftë në Shpirag kanë dështuar dhe kompania SHELL ka deklaruar se ka dalë me humbje.

Reagimi i Ministrisë nis me një lajm që dihej, se në Shpirag ka naftë dhe gaz natyror, dhe se cilësia e naftës është nga më të mirat. Më pas, thuhet se gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, ka bërë që procesi i nxjerrjes së naftë të zgjasë.

Më poshtë fillon edhe “perla” e justifikimit. Ministria e heq vëmendjen nga dështimi i nxjerrjes së naftës dhe e kthen atë nga lajmet që kanë qarkulluar në media. Sipas Ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku, mediat që kanë shpërndarë lajmin janë dashakeqe dhe me frymëzim politik.

“Por në kushtet e diziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar”, shkruan Ministria ndër të tjera në reagim.

Por, lajmet e publikuara në media janë në bazë të raportit të fundit të kompanisë SHELL, që tregonte se ka pësuar humbje të mëdha nga kërkimi për naftën në Shpirag.

Në fund, qershia mbi tortë! Me qëllim mbulimin e dështimit të nzjerrjes së naftës në Shpirag, Ministria thotë se presim lajme të tjera të mira nga zonat e tjera naftëmbajtëse në vend.

“E sigurojmë opinionin publik, se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese”, shkruan Ministria e Energjitikës.

Pra, pas pasurisë imagjinare që krijuam në mendjet tona me Shpiragun, tani presim me padurim zonën tjetër nga e cila do pasurohemi. Deri atëherë, të lutemi që lufta në Izrael të mos na rrisë çmimet dhe taksat!

*** Dështimi për të nxjerrë naftë në Shpirag mund të jetë shumë normal, për shkak të mungesës së teknologjisë, por mënyra si u propagandua dhe premtimet që u bënë ishin shumë të gabuara!