Tensione para Bashkisë Tiranë, protestuesit tentojnë të shkulin gardhin metalik, përplasen me policinë

Vijon të shoqërohet me tensione protesta para Bashkisë Tiranë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas dosjes korruptive “5D”, që çoi në burg disa prej drejtorëve të tij.

Protestuesit janë përplasur me policinë, ndërsa tentojnë që të heqin barrierat metalike të vendosura në hyrje të godinës së bashkisë.

Gjatë përplasjes me efektivët e shumtë në numër, janë hedhur edhe bomba molotov, ashtu si edhe në nisje të protestës.

Të shumtë janë protestuesit që kanë veshur bluzën “Lironi liderin e opozitës”, referuar Sali Berishës, mes tyre edhe vetë vajza e ish-kryeministrit Argita Malltezi.

Kjo është protesta e 7-të që opozita zhvillon para Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë që Erion Veliaj të dorëhiqet dhe të hetohet si për inceneratorin e Tiranës, ashtu edhe për dosjen “5D”.