Tensione dhe përplasje në Kuvend, deputetët e Maqedonisë së Veriut ndjekin shembullin e deputetëve shqiptarë, shkaktojnë kaos

Tensionet në Kuvend duket se kanë përfshirë edhe shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

Gjithçka nisi kur deputeti Krmov filloi të kërkojë ndërprerjen e seancës. Dy deputetët e Levicës, Dimitar Apasiev dhe Krmov, në tension e sipër, kanë thyer kompjuterin e nënkryetarit të Kuvendit, Goran Misovski, i cili po drejtonte seancën.

Ata shkuan drejt tij duke e gjuajtur me letrat e amendamenteve, të cilat Levica i kishte dorëzuar për ndryshimet në rregullore. Arsyeja ishte se nuk u pranuan amendamentet e tyre për ndryshimin e Rregullores së Punës.

Mes tensioneve në Kuvend, deputeti nga radhët e BDI-së, Arben Ziberi, ka tentuar të sulmojë deputetin e majtë Borisllav Krmov, por në mes tyre është futur kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ditën e sotme, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, u mbyll pas vetëm shtatë minutash, pasi pati tensione të forta. Pavarësisht kontrolleve të shumta përpara futjes në seancën plenare, deputetët e opozitës arritën të fusin në sallën e Kuvendit disa tymuese, të cilat i hodhën gjatë fjalës së kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.