Tenderi për Aeroportin e Vlorës, gazetarja: SPAK ka dyshime për shkelje të barazisë dhe paracaktim të fituesit

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke thirrur për marrjen e dëshmive të anëtarët e komisionit të vlerësimit.

Lajmin e bën të ditur gazetarja Klodiana Lala, e cila thotë se dyshime të forta se procedurat e barazisë janë shkelur gjatë vlerësimit të ofertave dhe ekziston mundësia që fituesi i kontratës të jetë paracaktuar.

“SPAK ka dyshime të forta se kontrata për aeroportin e Vlorës është lidhur në shkelje të procedurave të barazisë në tendera, po ashtu dhe fituesi është paracaktuar. Gjatë vlerësimit të kompanive është shkelur barazia dhe nga hetimet ka gjasa që fituesi është paracaktuar”- u shpreh ajo.

Lidhur me këtë çështje, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi në Kuvend në tetor të 2025-ës se ishin në fazën e hetimit paraprak duke mos dhënë më shumë shpjegime.

Kujtojmë se disa muaj më parë një konflikt gjyqësor shpërtheu mes ortakëve për ndarjen e aksioneve në aeroportin e Vlorës.

Kompania 2A Group dorëzoi një padi në Gjykatën e Tiranës, përmes së cilës pretendon regjistrimin e një kontrate noteriale të nënshkruar mes tij dhe Behgjet Pacollit për blerjen e 47% të aksioneve të VIA, veprim që sipas tij ishte refuzuar të kryhej nga asambleja e kompanisë Mabco Construction. Mabco Construction e kundërshton kontratën si të falsifikuar dhe ligjërisht të pavlefshme, por më 17 tetor 2025 Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë votën e Mabco Construction deri në zgjidhjen e çështjes në themel.

Vendimi u apelua dhe më 22 dhjetor, Gjykata e Apelit e zbuti masën e sigurimit të padisë vetëm për 47% të aksioneve të kontestuara, ndërsa i njohu kompanisë Mabco të drejtën e votës për 51% të kuotave në VIA.

Pas vendimit të Apelit, 2A Group pretendon se ka fituar sërish të drejtën për të bllokuar votën e Mabco Construction përmes një vendimi të ri të Gjykatës së Tiranës më 24 dhjetor 2025, e shqyrtuar nga një gjyqtar tjetër. Vendimi nuk është zbardhur ende nga gjykata.

Njëkohësisht, palët kanë depozituar kallëzime penale kundër njëri-tjetrit me akuza të manipulimit dhe mashtrimit.