Teatër parlamentar/ E mbajti kërkesën 7 muaj në sirtar, Spiropali e quan të ezauruar interpelancën e kërkuar nga Shehaj me ministren Balluku

Interpelancat duket se janë pika e dobët e mazhorancës në Kuvend, sidomos kur duhet të flitet për koncesionet nga të cilat qytetarët duhet të paguajnë qindra milionë e miliarda euro.

Prej rreth 7 muajsh, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë me ministren Belinda Balluku për koncesionin e rrugës Thumanë – Kashar, i cili do t’u kushtojë xhepave të qytetarëve shqiptarë më shumë se 1.3 miliardë euro.

Por, kjo kërkesë mbeti në sirtarin e Kuvendit për 7 muaj, duke mos u futur asnjëherë në rendin e ditës, disa herë për mungesën e Ballukut e shumë herë për mos-dëshirën e Spiropalit.

Sot, Shehaj kërkoi një përgjigje se kur do t’i mundësohej interpelanca, por përgjigja që mori nga kryetarja Elisa Spiropali ishte se sesioni kishte përfunduar dhe ajo interpelancë quhet e ezauruar.

Përgjigja e Spiropalit nxjerr në pah edhe veprimin e Belinda Ballukut në seancën e fundit të vitit të kaluar, kur kishte lajmëruar se ishte jashtë vendit dhe s’mund ta bënte interpelancën, por u shfaq në Kuvend vetëm 1 orë pas fillimit të seancës, pasi ishte siguruar që kjo interpelancë nuk ishte futur në rendin e ditës.

Një veprim që tregon se Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një teatër politik, me Spiropalin që moderon dhe socialistët që vendosin shfaqjet që duan për t’ua servirur qytetarëve.

Kërkesa dhe përgjigja sot në Parlament:

Shehaj: Në datën 30 Gusht kam kërkuar një interpelancë me ministren Balluku. Doja të dija kur keni ndërmend ta lejoni këtë interpelancë zonja ministre. Kanë kaluar pothuajse 7 muaj.

Spiropali: Sesioni parlamentar kur është paraqitur kërkesa ka përfunduar. Kjo interpelancë nuk është zhvilluar, quhet e ezauruar. Ju keni të drejtë të bëni një kërkesë të re.