Të rinj në politikë, të vjetër në mentalitet

Do të duhej të ishte një protestë e qytetarëve në mbështetje të efektivit Azbi Spahiu, për të zbardhur të vërtetën e hedhjes së tij nga kati i shtatë i pallatit, disa ditë pasi doli lajmi se kishte arrestuar djalin e biznesmenit Samir Mane.

Por, e kundërta ndodhi! Protesta e qytetarëve u kthye në një betejë për protagonizëm mes dy liderëve të rinj, Arlind Qorit dhe Adriatik Lapajt.

I pari me “Lëvizja Bashkë” kishte njoftuar protestën dhe kishte marrë lejen, duke mbledhur dhjetëra qytetarë te Ministria e Brendshme, për të kërkuar të vërtetën e ngjarjes së rëndë të ndodhur disa ditë më parë.

Përplasja ndodhi në momentin që në podium u ngjit Adriatik Lapaj, i cili kërkoi mikrofonin që të mbante edhe ai fjalimin e tij. Por, drejtuesit e Lëvizjes Bashkë nuk e lejuan, duke thënë se nuk e kishte ai radhën.

Këtu filluan edhe akuzat ndaj njëri tjetrit, duke e lënë në harresë kauzën për të cilën ishin mbledhur, për t’u fokusuar te përballja me njëri tjetrin, se kush do të merrte mikrofonin për ta kthyer protestën në “One man show”.

Çfarë tregon kjo përplasje mes të dyve?

Fatkeqësisht, kjo përplasje mes dy liderëve të rinj shumë të mbështetur nga qytetarët, tregon për mentalitetin e tyre politik. Një kauzë të cilës iu bashkuan qytetarët, e kthyen në një hiç para egove personale.

Sjellja e tyre në atë protestë zeroi deklaratat e tyre të mëparshme kundër politikës së vjetër, pasi veprimet e tyre nuk ndyrshojnë aspak me politikanët që kemi patur në këto 35 vite.

Disa mendojnë se faji ishte i Lapajt që kërkoi të merrte mikrofonin pa radhë, të tjerë thonë se fajin e kishte Qori që nuk e lejoi të fliste. Por pak rëndëis ka i kujt është faji, e rëndësishme është që u përmbush qëllimi i atyre që donin që kjo protestë të mos zhvillohej.

Asnjë nuk e përmendi protestën në media dhe kauzën e saj, e gjithë vëmendja u përqëndrua te konflikti mes të dyve. Në fund, ai që fitoi ishte ministri Ervin Hoxha, që ironizoi këtë protestë ende pa u mbledhur.

“Liderët e rinj duhet të kuptojnë se gjërat më të mira në jetë arrihen përmes durimit dhe përkushtimit”, thotë një shprehje, pro a e kanë Lapaj dhe Qori durimin për të arritur deri në qëllimet e tyre?