“Talo Çela donte të na vriste”, Nuredin Dumani rrëfen ngjarjet kriminale: Çfarë vendosëm pas takimit me Erion Alibejn

Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë ka dhënë dëshminë e tij në GJKKO. Ai ka rrëfyer veprimtaritë e organizatave kriminale, vrasjet me pagesë, atentatet dhe sagën e krimeve, e deri te konfliktet me Talo Çelën, ish-mikun e tij.

Në sallën e gjyqit, Dumani është shprehur se Talo Çela kishte planifikuar që ta vriste.

“Talo Çela donte të na vriste, me informoi dhe miku im Fatmir Troplini”, tha ai ndër të tjera.

Ai pohi se me Talo Çelën është njohur në vitin 2009 dhe kjo miqësi ka zgjatur për dhjetë vjet.

“Talon e kam njohur në vitin 2009 ose 2010, nga Ilirjan Feci. Kam qëndruar tek shtëpia e Talos dhe ai tek shtëpia ime. Kam njohur dy vëllezërit e Talos. Deri më 2019 kam pasur marrëdhënie të mira me Talo Çelën. Kam pasur kontakte edhe me vëllanë e tij, Bujar Çelën, në shtëpi, e kam takuar vetëm në 2013, më pas në një lokal. Bujari i shërbente Talos, bënte takime në emër të tij, e ndihmonte për çdo gjë”, theksoi ai.

Gjithashtu Dumani ka rrëfyer njohjen me Erjon Alibejn dhe paktet me të, teksa kishte shkuar ta sqaronte se nuk e kishte qëlluar ai të vëllain dhe familjarët, në atentatin e Bradasheshit në Elbasan me tre të vrarë.

“Elio Bitrin me kam njohur me Erion Alibejn. Jam vënë në dijeni që Erjon Alibej kërkonte të më takonte. Dhe Elio më tha që Erion Alibej ka rënë në gjurmët tuaja, që vëllai im ka qëlluar në drejtim të vëllait të Alibejt dhe familjes së tij. Në shtëpinë e Eljo Bitrit jam takuar me Arjan Spahiun, njeri i afërm i Alibejt, për të sqaruar që nuk isha unë personi që ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij dhe familjarëve. Kur kam takuar Erjon Alibejn nuk shkuam për të bërë pazare për vrasje. Unë shkova të takoja Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Në takimin e parë që bëra me Alibejn, për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Pasi kisha marrë vesh që Talo Çela do na vriste dhe vendosëm me Erjonin që të godasim, i thashë do godasim nga Durrësi”, pohoi ai.

Dumani ka rrëfyer të paktën 12 vrasje në një dekadë, pjesa më e madhe me pagesë.

Në dosjen “Plumbi i Artë” ka mbi 30 persona të akuzuar, pjesëtarë nga disa organizata të ndryshme, aktiviteti kriminal i të cilave shtrihej në disa qarqe të Shqipërisë.

Mes emrave të përfolur është edhe Vis Martinaj, i konsideruar si “mbreti” i lojërave të fatit. Ai rezulton i zhdukur pa gjurmë, prej verës së vitit 2022.