Takimi Trump-Putin, liderët e BE deklaratë të përbashkët: Të gatshëm të punojmë për një samit trepalësh

Liderët europianë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, duke theksuar se “hapi i ardhshëm duhet të jenë bisedime të mëtejshme, përfshirë edhe Presidentin Zelensky”.

Liderët njoftojnë se janë “të gatshëm të punojnë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelensky për një samit trepalësh me mbështetje europiane”.

“Jemi të gatshëm të mbajmë presionin mbi Rusinë,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se “Ukraina mund të mbështetet në solidaritetin tonë të palëkundur ndërsa punojmë drejt një paqeje që mbron interesat e sigurisë jetike të Ukrainës dhe Europës”.

“Ajo që do të vendoset mbi territorin e Ukrainës do të jetë në duar të Ukrainës. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” vazhdon deklarata, duke shtuar se liderët janë “të vendosur të bëjnë më shumë për të mbajtur Ukrainën të fortë në mënyrë që të arrijnë drejt fundit të luftës dhe një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.