Takimi i Ramës me Diasporën, a po teston kryeministri mbështetjen e emigrantëve për PS-në?

Kryeministri Edi Rama fillon nesër turin e takimit me emigrantët shqiptarë në disa shtete të Europës, ku ndalesa e parë do të jetë në Athinë, për të vijuar me Milanon, Londrën dhe Mynihun.

Takimi i parë në Athinë, që përkon edhe me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ka ngjallur reagime të shumta në shtetin fqinj, ku disa prej politikanëve e kanë cilësuar një provokim që u bëhet qytetarëve grekë.

Por pavarësisht kësaj, vetë Rama dhe deputetët e tij kanë deklaruar se data ishte rastësore dhe asgjë nuk ka të bëjë me provokimin e grekëve. Teksa kryeministri u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë t’i bashkohen në teatrin Galatsi.

Ndërkohë, për sa i përket takimeve të Ramës me diasporën, sipas vetë kreut të qeverisë, këto takime do të bëhen për të shpalosur programin e qeverisë në lidhje me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Por, cili është qëllimi i vërtetë i takimeve të Ramës me emigrantët shqiptarë?

Vota e Diasporës është një çështje që duhej të kishte marrë zgjidhje përpara disa vitesh, por ende sot emigrantëve shqiptarë që një pjesë të madhe të të ardhurave vijojnë t’i dërgojnë në Shqipëri nuk kanë mundësi të votojnë.

Mazhoranca ia ka faturuar fajin mungesës së një databaze të dhënash të emigrantëve, por ky duket të jetë vetëm një justifikim. Çështjet teknike mund të zgjidhen shumë shpejt nëse do të kishte vullnet politik, por ky vullnet po pengon emigrantët të votojnë.

Patronazhistët i kanë mundësuar Ramës dhe mazhorancës të kenë njohuri të plota mbi votën e pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, por askush nuk e di se si do të shpërndahej vota e emigrantëve.

Vetë kryeministri është i qartë se propaganda me video dhe foto në rrjete sociale nuk mund t’i mashtrojë emigrantët, që rrugët e shtruara apo ujin 24 orë nuk i shikojnë si “luks” ashtu siç propagandohen shpesh edhe në mediat shqiptare.

Vota e emigrantëve mund të jetë e rrezikshme për Ramën, ashtu siç mund të jetë edhe për opozitën. Sot, ajo votë mbetet një mister i madh, ndaj edhe politika shqiptare mbetet e frikësuar nga vendimi i qindra mijëra njerëzve mbi të cilët nuk kanë asnjë kontroll.

Pra, takimet me diasporën do ta ndihmojnë Ramën të kuptojë se cila është mbështetja e tyre për të dhe Partinë socialiste, përpara se të vendosë që të aprovojë votën e tyre, apo të vijojë ta zvarrisë për “çështje teknike”.