Elton Qyno
Përmes një ekspertimi telefonik, dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, kanë arritur të depërtojnë brenda një grupi të krijuar në aplikacionin “Whatsapp” në datën 30 korrik 2020.
Ky grup është quajtur “…Ta mbyllim…”. Dhe pjesë e listës së kontakteve ishin numrat e ish-gruas së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe tre personave të tjerë me profesion arkitektë të studios private “Qinami Konstruksion”.
Çuditërisht në këtë grup nuk është përfshirë numri personal, por as i punës i Elda Dinaj, e cila me letra rezulton të jetë pronarja e vilës nr.73 që tashmë ndodhet e sekuestruar në kompleksin “Green Coast” në Palasë.
Sipas dosjes së SPAK, grupi është krijuar nga Albina Mançka, e cila ka orientuar grupin e arktitektëve duke dhënë sugjerime të veçanta dhe me detaje, deri tek perdet dhe tapetat, për aredimin e brendshëm të vilës nr.73.
Veç pjesës së bisedave, ku dukshëm Albina Mançka identifikohet si pronare reale e vilës, brenda grupit në “Whats App” pasqyrohen dhjëtëra fotografi të instalimit të mobiljeve, ndriçimit dhe paisjeve të tjera elektronike.
Mes bisedave të deshifruara, Albina Mançka ka rolin e protagonistes kryesore, ku kujdeset dhe sugjeron që secila nga vajzat e saj, të ketë dhomën e personalizur në vilë.
Këto janë vetëm një pjesë e fotove të brendshme të arredimit të shtëpisë, të cilat SPAK i ka gjetur në grupin “…Ta mbyllim…” në “Whats App” dhe tashmë janë bërë pjesë e dosjes voluminoze me nr. 277/1.
Pasi janë realizuar punimet dhe e gjithë vila nr.73 është areduar në pjesën e brendshme, Albina Mançka, në datën 6 gusht 2020, u ka dërguar një mesazh anëtarëve të tjerë të grupit, ku shprehet e gëzuar për rezultatin e arritur.
Albina shprehet:”…Ia dolëm! Sonte do të flemë tamam në shtëpi…”. I falenderon për durimin e treguar, pavarësisht se ajo ndryshonte shpesh herë mëndje, si dhe i fton të tre Blertin, Jonën dhe Mirën në vilën Nr.73 për darkë…”.
Por çuditërisht në këtë darkë festimi dhe në këtë arredim shtëpie, nuk ka marë pjesë pronarja de jure e shtëpisë,Elda Dinaj.
Në 14 Prill 2023 arkitekti Blerti Kroi që ka qënë pjesë e këtij grupi, ka deklaruar se:“…grupet zakonisht i krijojnë në momentin që bëjnë një punë me porositësin dhe me grupet që marrin pjesë në ndjekjen e punimeve për koordinim mes grupit të punës.
Nuk e mban mend saktësisht krijim e këtij grupi, por duke qenë se puna është me shumë detaje, zakonisht i kategorizojnë proceset. Ky grup pune ka qënë hapur për Vilën në Palasë, në “Green Coast”.
Albina, është pjesë e këtij grupi për shkak se ajo ka qenë porositja e shërbimit, ndërsa Mira Idrizi ka qenë arkitektja që ka ndjekur punimet. Produktet në lidhje me ndriçuesit nuk e mban mend fiks se ku janë blerë te “Alba elektrica” ose te “Teoreni (Eglo)”.
Pra në këtë grup është bërë më se shumti menaxhimi i punës për përzgjedhjen e ndriçuesve të vilës në “Green Coast”.
Në lidhje me shtetasen Elda Dinaj, Blerti Kroi, deklaron se e ka dëgjuar si emër në një ditëlindje që ka bërë Albina, por vetë nuk e njeh dhe se Albina nuk i ka kërkuar që Elda të ishte pjesë e këtij grupi komunikimi për shkak se Albina ishte porositësja për ndjekjen e punimeve.