Sulmohet fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazment Muhaxheri

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazment Muhaxheri është sulmuar fizikisht mëngjesin e kësaj të shtune. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se sulmi ka ndodhur rreth orës 8:50 ku Muhaxheri ishte duke lëvizur në rrugën “Bill Clinton” në Pejë pasi kishte konsumuar një kafe në një prej lokaleve në këtë zonë.

Muhaxheri, që është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka marr lëndime trupore dhe është dërguar në spitalin e Pejës. Ndërkohë mësohet se janë arrestuar edhe dy autorët e dyshuar të sulmit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin.