Studentët e mjekësisë takojnë Begajn: Nëse dekretohet ligji, 2 tetori do jetë kaos për mjekësinë shqiptare

 Studentët e Mjekësisë kanë zhvilluar sot një takim me presidentin Bajram Begaj ku kanë paralajmëruar sërish se në tetor nuk do të futen në auditore.

Ata i kanë kërkuar presidentit të mos dekretojë ligjin që u kushtëzon marrjen e diplomave, Studentët thanë se kanë paraqitur tek kreu i shtetit zgjidhjet e tyre, dhe presin nga ai që të marrë një vendim në përputhje me Kushtetutën.

“Sigurisht ne i shprehëm shqetësimet tona, presidenti na dëgjoi bashkë me këshilltarët e tij. Shprehu edhe ai qëndrimin e tij, ku do të shqyrtojë këtë projektligji, tashmë ligj dhe do të pritet se si do të jetë reagimi. Ne shkuam në takim si një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë. Çfarë qëndrimi do të mbahet, nuk mund të flasim në këtë moment. Në tetor nuk hyjmë në auditore”, u shpreh njëra prej studenteve.

“Ideja është se kërkesa që ne kemi bërë për presidentin, mikpritja ka qenë shumë pozitive. Përqasja ishte pozitive. Presidenti na dëgjoi me vëmendje, të gjitha problematikat tona. Kemi dhënë zgjedhjet tona dhe presim një përgjigje nga presidenti për të mos dekretuar ligjin. Ai tha që gjithçka do të jetë e bazuar në Kushtetutë dhe në sugjerimet tona”, u shpreh një tjetër student.

Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin që i detyron studentët e Mjekësisë të punojnë në Shqipëri pesë vite pas diplomimit.