Studentët e Mjekësisë kundërshtojmë pr/ligjin: Këtu as stetoskop nuk na ofrohet, do bojkotojmë vitin

Ditën e sotme në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, studentët e mjekësisë ishin të pranishëm në një seancë dëgjimore. Ata kanë kundërshtuar projektligjin e propozuar nga qeveria për ti kushtëzuar diplomimin nëse ata nuk kryejnë 5 vite shërbim në Shqipëri, ose ndryshe duhet të paguajnë një faturë prej 5300 euro.

Gjatë fjalës së tyre para komisionit, studentët theksuan se ky projektligj shkel dispozitat kushtetuese dhe se janë të gatshëm të bojkotojnë vitin arsimor nëse qeveria nuk tërhiqet.

“Një mjek i sapodiplomuar mund të punojë vetëm mjek familje, nuk mund të punojë jo specialist. Një mjek që fillon punë si mjek familje do të ketë një godinë të bukur por brenda do ketë vetëm një stilolaps dhe tavolinën e punës dhe punën që do kryejë ai mjek është vetëm plotësimi i rekomandimeve pasi vizitat janë inekzistente, “ u shpreh një nga studentët.

 Një studente tjetër tha në seancë se çështja do të çohet deri në Kushtetuese.

“Çështja do të ndiqet në Kushtetuese dhe një bojkot e studentëve të mjekësisë në tetor është ulje e madhe për intelektin në Shqipëri. Dhe nuk do mbahen diploma peng s’do keni fare.”-  tha ajo.

Studenti tjetër: Im atë është mjek, nga një projektligj i tillë u detyrua që të punonte larg. Shteti i dhuroi një stetoskop, sot neve as stetoskopi nuk na ofrohet. 

Shërbimi mjekësor është dëmtuar rëndë. Nuk besoj se nuk ka prej jush që të ketë shkuar në spital e të ketë kryer një ndërhyrje. Shumica janë mjekë të specializuar ndaj vendit. Elita janë mjekët e specializuar jashtë vendit.