Statuti i ri i dha më shumë fuqi Skënder Gjinushit, shkarkohen drejtorët e instituteve në mes të mandatit

Statuti i ri i Akademisë së Shkencave, i miratur ditën e djeshme online dhe mes shumë kontestimeve, i ka dhënë më shumë fuqi Kryesisë dhe kryetarit Skënder Gjinushi.

Sot Kryesia e Akademisë ka marrë vendimin të shkarkojë në mes të mandatit drejtorët e disa instituteve, duke i zëvendësuar ata me të tjerë që me sa duket janë më të përshtatshëm për kryetarin.

Akademia e shkencave vendosi që Adem Bunguri të caktohet drejtor i Institutit te Arkeologjisë; Prof. dr. Hamit Kaba caktohet drejtor i Institutit të Historisë; Akad. Valter Memisha caktohet drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; Prof. asoc. dr. Olsi Lelaj caktohet drejtor i Institutit të Antropologjisë dhe Akad. asoc. Stefan Çapaliku caktohet drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.

Me Statutin e ri Kryesia e ASh-së ka pushtet mbi zgjedhjen e drejtuesve të Instituteve dhe Qendrave. Ndryshimet në statut u kundërshtuan pasi Ligji për Shkencat ku bazohet s’ka kaluar ende në Qeveri.Kujtojmë se në tetor të vitit që kaloi Skënder Gjinushi u zgjodh pa garë në krye të Akademisë së Shkencave, pasi qeveria miratoi më herët ligjin që lejonte rikandidimin e tij.