Kryeministri Edi Rama duket se po vijon lojën e tij të mbrojtjes së Belinda Ballukut, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim nëse do të lërë në fuqi pezullimin e saj nga GJKKO, pasi u mor e pandehur për aferën e tunelit të Llogarasë.
Në podcastin “Flasim”, ai foli për pezullimin e Ballukut, duke u mbështetur në qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut.
Sipas tij, këto dy institucione e thonë qartë se gjyqësori nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në përbërjen e ekzekutivit, pasi kemi të bëjmë me një shkelje të balancës së pushteteve dhe rrezik serioz institucional.
“Si përfundim, edhe sipas Venecias, edhe sipas Strasburgut: Gjyqësori NUK duhet të pezullojë ministra.
Në standardet europian, ku nuk besoj se ka mbetur ndonjë standard për ta shpikur Shqipëri, kjo është:
-joproporcionale në thelb
-antidemokratike në frymë
-antikushtetuese në përmbajtje
-nënshtrim i ekzekutivit
-kërcënim i paprekshmërisë së vullnetit demokratik
-kundër ndarjes së pushteteve
-kundër standardeve të Venecias
-kundër jurisprudencës së Gjykatës Europiane të Strasburgut
E pra, përfundimisht:
Pezullimi i një ministri është në vetvete absurd si koncept, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh thjesht një individ -një funksionar publik të cilitdo nivel – por do të thotë të pezullosh një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse në një a më shumë sektorë dhe kësisoj t’i pamundësosh ministrisë përkatëse të përfaqësohet në Këshillin e Ministrave e t’i propozojë qeverisë vendimet e përjavshme për ecurinë e sektorit. Kjo është një nonsens absolut.
Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra:
* me dorëheqje,
* nga Kryeministri,
* apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit.
Tjetër nuk ka. Prokuroritë e Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrsesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë”, tha Rama ndër të tjera.
Por, i njëjti kryeministër që sot citon Komisionin e Venecias për të mbrojtur një ministre që ka dalë duke grabitur 50 milionë euro të shqiptarëve, pak kohë më parë e injoronte këtë institucion.
Bëhet fjalë për çështjen e mandatit Olta Xhaçkës, kur Komisioni i Venecias në opinionin e tij deklaronte se Kuvendi duhet të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuadrin e kompetencave që i jep Kushtetuta. Në këtë dritë, pyetjet 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje e lirisë së mandatit, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,” thuhej në pikën 22 të opinionit të Komisionit të Venecias.
“Për shkak se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, njihen nga kushtetuta si detyruese, të gjitha autoritetet janë të detyruara të respektojnë këto vendime dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë efektive”, shtohej në opinion.
Por këtë vendim Rama nuk e respektoi, duke mos e dërguar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese e duke e shpëtuar deputeten e tij, e cila vijon sërish të jetë deputete në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, kemi të bëjmë me një kryeministër që përdor dy standarde dhe një institucion si Komisioni i Venecias për të mbrojtur ministret dhe deputetet që kanë shpërdoruar fondet e buxhetit të shtetit.
Në një vend ku morali politik ka kohë që ka vdekur, as kjo nuk bën më çudi!