Spitalet rajonale pa kushtet minimale, Rama premton të sjellë robotë për ndërhyrjet kirurgjikale

Pas suksesit të madh që kanë sjellë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” me pamjet nga hapësira, kryeministri Rama ka bërë një tjetër premtim të madh.

Gjatë inspektimit në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në njërin nga 17 centralet e sterilizmit, ai u premtoi mjekëve se nga viti i ardhshëm do të kënë disa kolegë të rinj që do t’u asistojnë në ndërhyrjet kirurgjikale, robotët. Kjo deklaratë e kryeministrit i habiti edhe vetë mjekët, por jo të gjithë, apsi njëri prej tyre i përmendi kryueministrit problemin e vërtetë të mjekëve.

“Aman mos harro rritjen e rrogave”, i tha një prej mjekëve kreut të qeverisë, si për t’ia kujtuar se rrogat nuk rriten vetëm me premtime boshe në televizione e facebook, por me vendime qeverie.

Implementimi i robotëve në spitale për të asistuar në ndërhyrjet kirurgjikale mund të jetë një investim shumë i mirë për shëndetësinë, por a është zgjidhje për problemet në spitalet rajonale? Sigurisht që jo, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë as kushtet më minimale. Në disa mungon uji, te disa të tjerë nuk ka ilaçe, ndërsa në shumicën e tyre mungojnë shtretërit.

Për të mos folur për mungesën e mjekëve dhe infermierëve që zgjedhin të emigrojnë për shkak të rrogave dhe kushteve skandaloze të punës, problem të cilin Rama mendoi ta zgjidhë duke u “grabitur” doiplomat studentëve të Mjekësisë.

Pasi të mund të zgjidhë këto probleme në spitalet rajonale, atëherë kryeministri mund të mendojë për tendering e radhës për blerjen e robotëve, pasi në rast të kundërt, do të ishte një investim i dështuar që nuk do të shërbente për asgjë, por vetëm për të grabitur të tjera fonde nga buxheti i shtetit.