Speciale/ Atentatet ndaj politikanëve evropianë, nga kryeministri spanjoll Blanko tek ai sllovak Fiko

“Il Post”

Vrasjet apo tentativat për vrasje të politikanëve evropianë, si ai të mërkurës kundër kryeministrit sllovak Robert Fiko janë të rralla. Prej disa dekadash në Evropë, niveli i dhunës politike ka qenë shumë i ulët, pavarësisht disa rasteve shqetësuese, madje edhe të kohëve fundit. Gjithsesi, ndër vite ka pasur disa vrasje apo tentativa për vrasje të bujshme, ku janë përfshirë udhëheqës dhe përfaqësues politikë të vendeve të ndryshme evropiane. Ja cilat janë disa prej tyre:

Pavël Adamovic, 2019

Vrasja politike më e fundit në Evropë, ishte ndoshta ajo e Pavël Adamovic, kryebashkiakut të qytetit polak Gdansk. Ai u godit me thikë në 14 janar 2019, ndërsa merrte pjesë në një aktivitet bamirësie përpara mijëra njerëzve. Ndërroi jetë nga plagët të nesërmen në spital.

Adamovic ishte një politikan liberal, shumë kritik ndaj qeverisë së ekstremit të djathtë që ishte në atë kohë në pushtet në Poloni, e udhëhequr nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS). Po ashtu ishte një mbështetës i njohur i të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe komunitetit LGBT+, për të cilën ishte kërcënuar disa herë nga eksponentë dhe grupime të ekstremit të djathtë polak. Ai u vra nga Stefan Vilmont, një 27-vjeçar i cili vuante nga skizofrenia, dhe  që është liruar nga burgu pak kohë më parë.

Xho Koks, 2016

Xho Koks ishte një deputete britanike e Partisë Laburiste, e cila u sulmua me thikë më 16 qershor 2016 nga një burrë në Birstall, qytet me 16.000 banorë, gjatë kohës që ajo ishte në fushatë. Koks ishte një parlamentare jo shumë e njohur në nivel kombëtar, por karriera e saj ishte në rritje.

Kishte qenë drejtoreshë e Oxfam, një OJQ që merret me ndihmën humanitare dhe projektet e zhvillimit, dhe ishte një mbështetëse e qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Evropian. Pak ditë pas vrasjes së Koks, më 23 qershor, u mbajt referendumi për Brexit. Vrasësi i Koks u zbulua shumë shpejt. Ai ishte Tomas Meir, një njeri që simpatizonte lëvizjet naziste dhe supremaciste. Disa dëshmitarë thanë se gjatë sulmit Meir kishte thirrur “Britania e Para!”.

Zoran Gjingjiç, 2003

Kryeministri serb Zoran Gjingjiç u vra më 12 mars 2003 nga Zvezdan Jovanoviç, një snajper që e qëlloi atë nga distanca teksa po hynte në selinë e qeverisë serbe në Beograd. Gjingjiç, liberal dhe properëndimor, ishte kryeministër i Serbisë prej disa vitesh, dhe një nga arkitektët kryesorë të rrëzimit të qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, presidentit nacionalist të akuzuar për krime shumë të rënda lufte gjatë luftërave jugosllave.

Në vitin 2001, Gjingjiç miratoi ekstradimin e Millosheviçit në Hagë, ku ai u gjykua nga Kombet e Bashkuara. Gjatë qeverisjes së tij, bëri shumë armiq mes politikanëve nacionalistë dhe krimit të organizuar. Vrasja e tij u vendos në këto dy mjedise. Ai që e porositi ishte Milorad Ulemek, ish-oficer i forcave speciale të Millosheviçit, i cili më vonë u një nga krerët e krimit të organizuar.

Tentativa për vrasjen e Zhak Shirak, 2002

Më 14 korrik 2002, gjatë paradës së Ditës së Bastijës, kur festohet festa kombëtare e Francës, një burrë u përpoq të qëllonte mbi presidentin francez Zhak Shirak, që po merrte pjesë në ceremoni. Autori Maksim Bruneri, ishte një militant neo-nazist. Ai nuk ishte një gjuajtës ekspert ndaj nuk e shënjestroi sot Shirakun me gjuajtjen nga distanca. Bruneri tentoi menjëherë të vetëvritej, por u ndalua nga të pranishmit. U dënua me 10 vjet burg.

Pim Fortun, 2002

Politikani holandez Pim Fortun u vra më 6 maj 2002, 9 ditë para zgjedhjeve parlamentare

në Holandë. Ai ishte një nga politikanët më të diskutueshëm, kundër emigrantëve dhe shumë islamofobik. E përdori homoseksualitetin e tij të deklaruar, për të bërë deklarata tejet agresive kundër emigrantëve dhe multi-kulturalizmit.

Fortun u vra në rrugë dhe teksa po hipte në makinën e tij, pasi kishte dhënë një intervistë në një radio. Volkert Van der Graf, një aktivist mjedisor dhe i të drejtave të kafshëve, e qëlloi

6 herë. Më vonë do të deklaronte se e kreu vrasjen për ta penguar Fortun të përdorte si “kokë turku” myslimanët. Në zgjedhjet e disa ditëve më vonë, partia e Fortun ishte e dyta më e votuara në vend.

Tentativa e vrasjes së Volfgang Shojbles, 1990

Më 19 tetor 1990, gjatë fushatës zgjedhore në Openau, Gjermani, një burrë qëlloi 3 herë në në drejtim të Volfgang Shojble, në atë kohë Ministri i Brendshëm i qeverisë konservatore të Helmut Kohl. Plumbat e goditën në fytyrë dhe i dëmtuan shtyllën kurrizore.

Autori i sulmit Diter Kaufmann, kishte probleme të shëndetit mendor. Shojble u paralizua dhe nga ai moment u detyrua të përdorte një karrige me rrota për pjesën tjetër të jetës së tij. Megjithatë, pati një karrierë politike të shkëlqyer, duke u bërë një nga politikanët më me ndikim të Gjermanisë.

Olof Palme, 1986

Më 28 shkurt 1986, kryeministri suedez Olof Palme u vra me armë zjarri teksa po dilte

nga një kinema në kryeqytetin Stokholm. Palme ishte i famshëm për angazhimin e tij ndërkombëtar ndaj vendeve më të varfra dhe për kritikat e ashpra ndaj dy superfuqive të kohës, SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.

Për dekada, vrasësi i Palmes dhe mbeti një mister. Dhjetëra teori konspirative u ngritën rreth kësaj historie, duke filluar nga përfshirja e CIA-s tek ajo e kurdëve të PKK-së. Në vitin 2020, një hetim i gjatë arriti në përfundimin se autori ishte Stig Engstrom, simpatizant i ekstremit të djathtë. Por Engstrom kishte vdekur në vitin 2000, ndaj çështja u arkivua.

Tentativa për vrasjen e Margaret Theçërit, 1984

Më 12 tetor 1984, IRA, organizata kryesore terroriste që luftonte për pavarësinë e Irlandës së Veriut, vendosi një bombë me shumë eksploziv para “Grand Hotel” në Brajtën, Angli, ku po mbante konferencën e saj Partia Konservatore. Objektivi i sulmit ishte udhëheqësja e partisë dhe kryeministrja britanike Margaret Theçër, e cila kishte një qasje shumë të ashpër ndaj separatistëve të Irlandës së Veriut.

Shpërthimi i bombës ishte shumë i fuqishëm, dhe shkatërroi një pjesë të fasadës së hotelit, por Theçër shpëtoi. Ndërkohë vdiqën 5 anëtarë të Partisë Konservatore, ndërsa u plagosën dhjetëra njerëz të tjerë. Për të treguar vendosmërinë si lidere, Theçër këmbënguli që konferenca e partisë të vazhdonte të nesërmen siç ishte planifikuar.

Tentativa për vrasjen e Gjon Palit II, 1981

Më 13 maj 1981, Papa Gjon Pali II ndodhej në sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, për të kremtuar shfaqjen e Zojës së Fatimas, dhe për të mbajtur meshën e zakonshme. Të pranishëm ishin shumë njerëz. Teksa po alonte sheshin me makinën e tij të posaçme duke u zgjatur për të shtrënguar duart me besimtarët, u plagos në bark nga dy të shtëna armësh.

Autori u identifikua menjëherë. Quhej Ali Agça, një shtetas turk që ishte arratisur pak kohë më parë nga një burg në Stamboll, dhe ishte anëtar i organizatës terroriste nacionaliste “Ujqërit gri”. Gjon Pali II iu nënshtrua një operacioni dhe arriti të mbijetojë. Arsyet pse

Agça u përpoq të vriste Papën janë ende të paqarta.

Kjo për shkak të ngurrimit të Agça për t’u rrëfyer, por edhe disa teorive konspirative

që qarkulluan në ato vite. Në vitin 2000, me kërkesë të Papës, ai u fal nga presidenti i atëhershëm i Italisë, Karlo Çampi. Ai u ekstradua në Turqi, ku kreu disa vite burg për

një tjetër sulm që vrau një gazetar. Në vitin 2010 u lirua pas një amnistie.

Aldo Moro, 1978

Vrasja e Aldo Moros, drejtuesit të Partisë Demokristiane, nga grupi terrorist Brigadat e Kuqe ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës italiane të pasluftës. Moro u rrëmbye më 16 mars 1978 në Via Fani në Romë, në një pritë  në të cilën u vranë 5 burra nga eskorta e tij.

Pas 55 ditësh robëri, Moro u vra nga terroristët, dhe trupi i tij u gjet në bagazhin e një makine të kuqe në Via Caetani në qendër të Romës. Sot dihen disa nga elementët thelbësorë të historisë. Megjithatë 46 vite më vonë, rrëmbimi dhe vrasja e Aldo Moros vazhdojnë të jenë objekt i teorive konspirative dhe hipotezave të ndryshme.

Luis Karrero Blanko, 1973

Më 20 dhjetor 1973, një shpërthim i fortë në rrugën “Claudio Coello” në Madrid, ngriti në ajër një makinë “Dodge Dart” deri në katin e pestë të një ndërtese aty pranë, teksa hapi një gropë në madhe në asfalt. Në bordin e saj ishte admirali dhe kryeministri Luis Karrero Blanko, i emëruar vetëm disa muaj më parë në këtë post nga diktatori spanjoll Francisko Franko.

Ai konsiderohej gjerësisht si trashëgimtari i tij politik. Blanko vdiq menjëherë, ashtu si  shoferi dhe truproja. Përgjegjësinë për sulmin e mori organizata terroriste baske ETA. Franko vdiq vetëm dy vjet më vonë, në vitin 1975, duke mos lënë asnjë trashëgimtar politik.