SPAK vendos në dispozicion numrin e gjelbër, thirrje qytetarëve: Denonconi krimet zgjedhore ditën e votimit

SPAK ka vënë në dispozicion një numër ditën e zgjedhjeve ku qytetarët shqiptarë do të mund të denoncojnë krimin zgjedhor.

Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Posaçme është vendosur numri i gjelbër 0800-04-05, i cili do të jetë në dispozicion të qytetarëve nga ora 7 e mëngjesit, kur nis votimi deri në orën 19:00, që është orari zyrtar i mbylljes së procesit të votimit.

Kujtojmë se  Prokuroria e Posaçme ka ngritur një task forcë për hetimin e krimeve zgjedhore ndërsa në krye të kësaj grupi të posaçëm do të jetë vetë Altin Dumani, i cili do të hetojë veprimtaritë e dyshimta deri në 11 maj. 

“Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë dhe staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Ata do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, njoftoi SPAK në janar të këtij viti.

Ndërkohë në shkurt të 2025, SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan protokollin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimin institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.