SPAK regjistron procedim penal për koncesionin e aeroportit të Vlorës

Prokuroria e Posaçme mësohet se ka regjistruar një procedim penal për aeroportin e Vlorës. Ky fakt është konfirmuar nga vetë SPAK, pasi e ka publikuar në faqen zyrtare, pas pyetjeve nga të interesuarit.

“A ka nisur hetim Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës? Nëse po, është një hetim i nisur kryesisht apo në bazë të kallëzimit të një pale të tretë? Nëse po, në çfarë faze jane hetimet?” – ka qenë pyetja.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncensionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet në përgjigjen e SPAK

Ende nuk dihet se për çfarë vepre penale është regjistruar procedimi penal. Ndërkohë që sipas informacioneve të ndara nga SPAK, ndodhen në fazën e hetimit paraprak.

SPAK gjithashtu njofton se ka regjistruar procedim penal edhe për një çështje tjetër të ndjeshme si ajo e ndërhyrjes në sistemin TIMS. Hetimet thotë organi i akuzës janë në fazën paraprake dhe janë regjistruar në kuadër të një kallëzimi penal që ka mbërritur në prokurori.