Prokuroria e Posaçme i ka dërguar fletë-thirrjen zv.kryeministres Belinda Balluku për t’u paraqitur me një avokat, pasi e ka regjistruar si person në hetim për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.
Shkresa mban firmën e prokurorit të posaçëm, Dritan Prençi, që me shumë gjasë pritet t’i komunikojë Ballukut akuzën dhe ta marrë të pandehur.
Gjithashtu SPAK ka ushtruar kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të saj. Konkretisht, kontrollet janë ushtruar në banesat e dy bashkëpunëtorëve të ngushta të Ballukut si dhe në një zyrë.
Por ende nuk dihet nëse Balluku do të paraqitet në SPAK, pasi në fundjavë ishte në Zvicër për një takim bilateral me homologun e saj, ndërkohë që opozita ka deklaruar se zv.kryeministrja kërkon t’i shmanget Prokurorisë së Posaçme duke sajuar një vizitë në Bullgari.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Vlen të përmendim se disa prej të besuarve të saj, janë arrestuar ose marrë të pandehur nga SPAK.
Kujtojmë këtu, Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH-së dhe një nga personat e saj më të afërt, do të arrestohej me urdhër të SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme zbuloi abuzimet dhe korrupsionin në institucionin që ai drejtonte.
Ndërkohë Ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi, është nën hetim nga SPAK. Edhe kreu aktual i ARRSH, Gentjan Gjyli është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Belinda Balluku është një nga personat më të afërt të Ramës, i cili i ka besuar postin e zv.kryeministres, por edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Belinda Balluku qëndron në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Ndërkohë ajo ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate, ndërsa ka pasur akuza të shumta ndaj saj për përdorimin e administratës në shërbim të partisë.