SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli bleu vota për PSD në 11 Maj

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli është paraqitur sot në SPAK, ku i është komunikuar akuza për korrupsion zgjedhor. Në hyrje të ambienteve të SPAK, Shkreli nuk ka bërë asnjë koment për gazetarët.

Shkreli dyshohet se bleu vota për PSD e Tom Doshit në zgjedhjet e 11 Majit, ndërsa më herët me një vendim të Gjykatës së Posaçme iu sekuestrua celulari.

Për të njëjtën çështje janë sekuestruar edhe celularët e disa personave të tjera, që konsiderohen si mbështetës të PSD-së dhe që SPAK ka dyshime se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Shkreli ishte në shënjestër të kritikave të kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi që ky i fundit zhvilloi në Shkodër, në përmbyllje të fushatës elektrorale ku iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj me dy porta, Kristian”.