SPAK mbyll hetimet për abuzimet me tenderat e UBT-së, merr të pandehur 28 pedagogë e biznesmenë

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur 28 pedagogë, staf akademike dhe biznesmenë në lidhje me abuzimet me tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ata akuzon për dy vepra penale: shkelja e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Dosja ndaj tyre do të dërgohet në GJKKO, e cila do të marrë vendimin për ta kaluar ose jo për gjykim.

Pas një hetimi 2 vjeçar nga ana e SPAK u zbulua një skemë korruptive, ku janë përfshirë zëvendësrektori i universitetit, administratori dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. 

SPAK thotë se ka gjetur nëntë procedura tenderimi me vlerë 90 milionë lekë si të dhëna në kundërshtim me ligjin nga zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Hetimet për abuzime nisën në 2022 nga dy prokurorët, Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, të cilët përpos se kaluan në lupë disa prokurime publike, përdorën edhe metoda të vëzhgimit dhe të përgjimit në UBT.

Nga përgjimet i bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT-së dhe dokumentacioni i administruar, rezulton se tenderat janë zhvilluar me kritere të manipuluara në bashkëpunim me operatorë ekonomikë të paracaktuar.